TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Korrik 2026, 20:49

"Ju meritoni medalje diamanti", protestuesi 'dekoron' qytetarët në ditën e 50-të të qëndresës

Shkruar nga Pamfleti

"Ju meritoni medalje diamanti", protestuesi 'dekoron'

Një moment simbolik ka shoqëruar protestën e 50-të qytetare para Kryeministrisë, ku një prej protestuesve u shpërndau pjesëmarrësve medalje simbolike në shenjë mirënjohjeje për qëndresën e treguar gjatë javëve të fundit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai tha se medaljet ishin prej letre, por sipas tij, çdo protestues meritonte një vlerësim shumë më të madh për vendosmërinë e treguar.

“Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje. Është prej letre, por ju meritoni medalje diamanti. Nuk ka metal të çmuar që ta arrijë prestigjin tuaj. Nuk ka uratë që arrin prestigjin e shqiptarëve të bashkuar. Treguat se jemi një forcë e pamposhtur”, u shpreh ai.

Në vijim të fjalës, protestuesi e cilësoi mobilizimin si një moment historik, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga protestat më të gjata qytetare në vend. Ai tha se pjesëmarrësit kanë përballuar kritika, sulme dhe fyerje, por nuk janë tërhequr.

“Sot bëjmë histori. Kemi hyrë në një nga protestat më të gjata. Për 50 ditë kemi duruar urrejtje, baltëhedhje, sharje dhe ofendime, por nuk u dorëzuam dhe nuk do të dorëzohemi”, deklaroi ai.

Protestuesi shtoi se qëndresa do të vazhdojë pavarësisht kohëzgjatjes së saj, duke theksuar se pjesëmarrësit nuk do të heqin dorë nga protestat.

“Jo 50, as 150, por edhe 1 550 ditë do të jemi sërish këtu. Janë përpjekur të na përçajnë dhe të na etiketojnë gjatë gjithë kësaj kohe, por ne jemi shqiptarë të Shqipërisë”, tha qytetari.

Gjithashtu, ai iu bëri thirrje qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar protestës të marrin pjesë në tubimet e ardhshme.

“Për ata që nuk janë në shesh, mesazhi është i qartë: Ejani në protestë”, përfundoi protestuesi.

 

 

Lini një Përgjigje