
Dinamo dhe Elbasani zhvilluan ditën e sotme një test miqësor në stadiumin “Sopoti” të Librazhdit. Plot katër gola të shënuar, por në fund, ky duel nuk prodhoi fitues, duke bërë që sfida të mbyllej në barazim 2-2.
Dinamovitët kaluan të parët në avantazh me anë të mbrojtësit Behiratçe në minutën e 5, teksa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0. Fragmenti i dytë i lojës prodhoi edhe 3 gola të tjerë. Ishte Kasa ai që në minutën e 66, vendosi baraspeshën, ndërkohë dy minuta më vonë ishte radha e një tjetër mbrojtësi dinamovit për të gjetur rrugën e rrjetës.
Bëhet fjalë për Rustem Hoxhën, që vendosi përkohësisht shifrat në 2-1. Për të vulosur baraspeshën mendoi sulmuesi Lleshi që në minutën e 88, shënoi golin e katërt të sfidës. Ky test miqësor iu shërbehu të dy trajnerëve, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.
Dinamo këtë sezon do të luajë në Kategorinë Superiore, teksa Elbasani siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Lini një Përgjigje