TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Korrik 2023, 20:11

UEFA vendos! Juventusi përjashtohet nga Liga e Konferencës, klubi bardhezi gjobitet edhe me 20 mln euro të kushtëzuara

Shkruar nga Pamfleti

UEFA vendos! Juventusi përjashtohet nga Liga e Konferencës, klubi

UEFA ka vendosur! Juventusi nuk do të jetë pjesë e Ligës së Konferencës për sezonin 2023-2024 dhe gjithashtu do të sanksionohet. Ata do t’i paguajnë organit më të lartë të futbollit europian 20 milionë euro nga të cilat, vetëm 10 janë të sigurta dhe 10 të tjerat të kushtëzuara nga çdo mosrespektim i radhës për bilancet financiare për sezonet 2023, 2024 dhe 2025.

Ky ka qenë vendimi i fundit që ka dalë nga UEFA gjatë ditës së sotme, e që lë bardhezinjtë jashtë Ligës së Konferencës, ku kishin siguruar praninë pas penalizimit të dhënë nga Federata Italiane për çështjen e plusvalencave. UEFA kishte hapur hetim prej 7 muajsh, duke shqyrtuar edhe ajo dokumentacionin për klubin italian, i cili po gjykohej në Itali për shkeljet me bilancet financiare, si për praktikën e plusvalencave, ashtu edhe për atë të mosdeklarimit të pagave që janë dhënë në të zezë. Komisioni disiplinor i UEFA-s, ka vendosur që Juventusi nuk duhet të luajë një sezon në Europë, si dhe të paguajë një gjobë që do të shlyhet pjesërisht tani dhe pjesërisht më vonë.

Në vend të bardhezinjve, në këtë kompeticion do të marrë pjesë Fiorentina, e cila u rendit një vend më poshtë në Serinë A.

Për Juventusin, lajmi në fakt nuk ka ardhur surprizë dhe shumëkush e cilëson një “nder” nga ana e UEFA-s, pasi ky ndëshkim e shpëton nga pjesëmarrja në turneun me më pak rëndësi në Europë. Njëkohësisht, në rast se dënimi do të shtyhej pasi Juventusi të merrte pjesë në këtë edicion në Ligën e Konferencës, klubi bardhezi rrezikonte të penalizohej në edicionin pasardhës, atë që shpreson ta nisë në Ligën e Kampioneve.

juventus uefa liga e konferencës

Lini një Përgjigje