
Dinamo ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat duke mposhtur në “Selman Stërmasi” ekipin e Flamurtarit me shifrat 2-0.
Blutë kanë dominuar përballë vlonjatëve në krizë, por nuk po gjenin golin. Një ndihmë ia dhanë situatat e çuditshme pas 30 minutash, pasi Çantakias i dëmtuar i la vendin në fushë Veigas dhe ky i fundit u ndëshkua menjëherë me të kuq për një faull ndaj Guindos. Me një lojtar më shumë blutë morën kontrollin e plotë të lojës dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i Guindo para pushimit.
Dominimi vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, teksa Dinamo shënoi përsëri me anë të Nani pas një aksioni të shpejtë të anësorit. Pak minuta më vonë erdhi një tjetër episod i çuditshëm pasi Ferruku i sapofutur në fushë u ndëshkua me të kuq për një goditje ndaj portierit, duke vendosur baraspeshën në numrin e lojtarëve të të dy ekipeve.
Por në minuta e mbetura nuk ndodhi thuajse asgjë dhe Dinamo mori tre pikët që kërkonte për të vazhduar ngjitjen në tabelë, me vlonjatët që mbetën në vendin e fundit.
Lini një Përgjigje