
Aventura e Çabi Alonsos në krye të stolit të Realit të Madridit mund të marrë fund shumë më shpejt nga sa pritej. Humbja e fundit në shtëpi 0-2 ndaj Selta Vigos ka lëkundur ndjeshëm stolin e trajnerit bask.
Në rast se Reali i Madridit humbet edhe nesër ndaj Mançester Sitit në Champions League, atëherë shkarkimi i Alonsos duket i pashmangshëm. Një nga emrat kryesor që është përmendur shumë për të qenë trajneri i ri i Realit të Madridit është edhe Jurgen Klop.
Megjithatë, trajneri gjerman thuhet se është treguar i qartë me drejtuesit e klubit madrilen: ai do ta marrë punën vetëm nëse Reali i Madridit i garanton një riorganizim të plotë të skuadrës në verë.
Klop kërkon kontroll të plotë mbi transferimet. Ai nuk dëshiron masa gjysmake ose ndërhyrje. Ai kërkon autoritet të plotë për të nënshkruar me lojtarët, për të rinovuar kontratat dhe, veçanërisht, për të vendosur për largimet e nevojshme. Disa emra të mëdhenj shfaqen në atë listë.
Klop e konsideron thelbësore të “heqë qafe” lojtarët që, sipas tij, nuk i plotësojnë nivelet e disiplinës, ritmit të punës dhe intensitetit që kërkon sistemi i tij. Kjo përfshin drejtpërdrejt Vinicius Zhunior dhe Rodrigo, lojtarë të talentuar por jokonsistent, gjithmonë sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle.
Lini një Përgjigje