TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Qershor 2026, 22:56

E nisi me humbje aventurën te Shqipëria, Maran: S’jam i lumtur me rezultatin

Shkruar nga Pamfleti

E nisi me humbje aventurën te Shqipëria, Maran: S’jam i lumtur

Trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran analizoi humbjen 0-1 në miqësore përballë Izraelit, duke theksuar se skuadra ka ende shumë aspekte për të përmirësuar.

Maran pranoi se rezultati nuk e kënaq, por tha se ndeshja i shërbeu për të marrë sinjale të rëndësishme për skuadrën.

Tekniku italian u shpreh se Izraeli ishte një kundërshtar i vështirë për shkak të cilësive teknike dhe qarkullimit të topit, çka e bëri më të komplikuar presionin e lartë nga ana e kuqezinjve.

Sipas Maran, Shqipëria bëri disa gjëra mirë, sidomos në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë humbi ekuilibrin në përpjekje për të sulmuar më shumë. Ai theksoi se këto dhjetë ditë pune me grupin i kanë shërbyer për të kuptuar më mirë karakteristikat e lojtarëve dhe rolet ku ata mund të japin më shumë.

Trajneri foli edhe për Armando Brojën, duke thënë se sulmuesi duhet të jetë më shumë pikë referimi në qendër të sulmit, por shtoi se lëvizjet e tij në krahë lidhen edhe me nevojën për të marrë pjesë më shumë në lojë. Në fund, tekniku italian vlerësoi mikpritjen në Shqipëri, duke thënë se shpreson që në të ardhmen t’ia shpërblejë tifozëve mbështetjen me paraqitje dhe rezultate më të mira.

“Ishte gjithçka më e vështirë sepse Izraeli është një skuadër shumë teknike. Ishte e vështirë t’i ushtroje presion nëse nuk kishe kohën e duhur. Në këtë aspekt hasëm vështirësi, por pozicionet ishin të qarta. Ne duhet të mbulojmë pesë hapësira dhe të kemi pesë lojtarë në fazën sulmuese që ndërrojnë pozicionet me njëri-tjetrin.

Nga njëra anë, për shkak të karakteristikave të lojtarëve që zgjodha, vendosa futbollistë që mund të shpreheshin më mirë në rolet ku ndiheshin më rehat. Nga një krah kishim lojtarë që duhej të alternoheshin mes tyre dhe të mbështesnin sulmuesin qendror, ndërsa nga ana tjetër kishim lojtarë që në zotërim të topit duhej të bëheshin elementi i pestë në repartin ofensiv.

Po punojmë prej pak kohësh mbi këto koncepte dhe mendoj se nuk bëmë keq, veçanërisht në pjesën e parë. Në të dytën u përpoqëm të sulmonim më shumë, por kur humbet ekuilibrin dhe kundërshtari të kundërsulmon vazhdimisht, gjithçka bëhet më e vështirë.

Mendoj se bëmë disa gjëra mirë, por humbëm pak ekuilibrin në pjesën e dytë. Zgjedhjet që bëmë u diktuan nga karakteristikat e lojtarëve. Kisha zgjedhur futbollistë që mund të ndërroheshin mes tyre në role. Në njërën anë kishim një lojtar më të shpejtë dhe më të avancuar, ndërsa në anën tjetër luanim me dy mesfushorë ofensivë në mbështetje të sulmuesit dhe organizatorit të lojës. Gjithashtu kishim nevojë për një mesfushor që të ndihmonte më shumë në ndërtimin e aksioneve dhe të sillte topin më përpara.

Sigurisht që Izraeli është një skuadër shumë teknike dhe na vuri në vështirësi me mënyrën si ushtron presion. Mendoj se në pjesën e dytë humbëm pak ekuilibrin.

Këto dhjetë ditë kanë shërbyer shumë mirë për të kuptuar si funksionojnë lojtarët në role të ndryshme dhe çfarë mund të përmirësojmë. Ata janë përpjekur të bëjnë atë që u kam kërkuar dhe kanë dhënë maksimumin. Ka shumë gjëra që duhen përmirësuar, por kjo ishte diçka që e prisja.

E prisja sepse kjo ishte ndoshta ndeshja më e pakëndshme për t’u luajtur, jo për shkak të vlerës së kundërshtarit, por për shkak të stilit të tij. Është një skuadër shumë e mirë në qarkullimin e topit dhe mund të të krijojë probleme në presionin e lartë, gjë mbi të cilën duhet të punojmë më shumë.

Për Brojën, ai duhej të ishte më shumë pikë referimi në qendër të sulmit. Megjithatë, karakteristikat e tij e bëjnë të lëvizë shumë. Edhe për të ishte hera e parë që punonte me mua dhe kishte vetëm dy ose tre ditë stërvitje. Ka gjëra që duhen përmirësuar edhe në këtë aspekt.

Ai u përpoq të bënte atë që i kërkova dhe, duke kërkuar ta bënte këtë, shkoi shpesh të kërkonte hapësira në krahë. Një sulmues, ndonjëherë, ka nevojë të prekë topin për t’u ndjerë pjesë e lojës dhe për të marrë pjesë në manovër. Kishte momente kur nuk arrinim t’ia çonim topin dhe për këtë arsye ai lëvizte më shumë.

Nuk mund të jem i lumtur me rezultatin. Megjithatë, në paraqitje pashë gjëra pozitive dhe negative, dhe sinqerisht e prisja këtë. Do të kisha preferuar të punonim pas një rezultati pozitiv, por e prisja që të kishim disa probleme. Për mua kjo ndeshje shërbeu shumë, sepse më dha indikacione të qarta për atë që duhet të punoj më shumë.

Sa i përket Shqipërisë, tani e kam provuar vetë. Kam gjetur një mikpritje të jashtëzakonshme. Pikërisht për këtë nuk jam i lumtur sot, sepse do të kishte qenë bukur t’ua shpërblenim të gjithëve me një paraqitje edhe më të mirë dhe me rezultat. Por e dinim që kjo ishte një ndeshje për të krijuar bazat. Shpresoj që në të ardhmen ta shpërblej gjithë këtë dashuri dhe mbështetje që kam marrë deri tani”, tha Maran.

shqipëria izraeli

Lini një Përgjigje