
Pas humbjes me Teutën një javë më parë, Egnatia është rikthyer te fitorja, duke u konfirmuar deri më tani si “hirushja e Superligës”. Skuadra rrogozhinase ka mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Dinamon në “Egnatia Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8 të Abissnet Superiore.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 26. Paulauskas mori një top mjaft të bukur brenda zonës nga Malota dhe me një goditje me të djathtën ndëshkoi portierin Rexhepi.
5 minuta më vonë, skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova dyfishoi shifrat, Zejnullai lëshoi një gjuajtje nga goditja e dënimit dhe e dërgoi topin në trekëndëshin e portës.
Në minutën e 72, “nëndetësja blu” mbeti me 10 lojtarë, pasi Krasniqi shkaktoi faull ndaj Fernandos dhe mori kartonin e dytë të verdhë, çka solli edhe kartonin e kuq.
Në minutën e 88, Egnatia realizoi edhe golin e tretë. Spahiu krosoi drejt Ahmetajt, ky i fundit goditi dhe gjeti rrjetën. Arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje, por VAR-i e dha të rregullt.
Me këtë fitore, Egnatia mban e vetme vendin e parë me 16 pikë, ndërsa Dinamo renditet në vendin e 9 me 7 pikë.
Lini një Përgjigje