Ditën e sotme trajneri Sylvinho ka publikuar listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion për ndeshjen kundër Republikës Çeke më 12 tetor në “Air Albania”, ndeshje kjo që pritet të vendosë për kualifikueset “Euro2024”.
Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator.
Për këtë ndeshje portierë janë grumbulluar Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Elhan Kastrati.
Në mbrojtje, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Enea Mihaj, Frederic Veseli.
Në repartin e mesfushës janë grumbulluar Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Keidi Bare, Qazim Laçi.
Dhe në sulm janë Mirlind Daku, Sokol Cikalleshi, Armando Broja (i rikthyer pas dëmtimit), Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Jasir Asani dhe Taulant Seferi.
Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.
Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.

Lini një Përgjigje