TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Qershor 2025, 20:00

Gjithçka gati në “Air Albania”, kombëtarja shqiptare e vendosur për fitore ndaj Serbisë!

Shkruar nga Pamfleti

Gjithçka gati në “Air Albania”, kombëtarja

Në 20.45 Shqipëria përballet me Serbinë për kualifikueset e Botërorit

Duket se gjithçka është gati në “Air Albania” për përballjen e Shqipërisë me Serbinë.

Ashtu siç pritej, kjo ndeshje po tentohet të kalojë kufijtë e futbollit. Por, në fakt, ajo është një ndeshje futbolli dhe nuk ka shumë vend për nacionalizma dhe politikë; është momenti që të tregojmë qytetari.

Të dyja ekipet do të zbresin në fushë për futboll. Disa nga lojtarët shqiptarë dhe ata serbë luajnë bashkë në klubet e tyre. Por pavarësisht kësaj, presioni ka filluar të ndihet ndaj Kombëtares kuqezi.

Ajo që e bën këtë ndeshje më të ndryshme nga të tjerat është episodi i 10 viteve më parë në Beograd, ku u ngrit droni mbi stadiumin serb – një ngjarje që solli shumë polemika. Kjo ka bërë që edhe policia të marrë masa për të shmangur çdo lloj provokimi dhe incidenti. Deri më tani gjithçka ka shkuar qetë.

Të dy trajnerët dje shmangën presionin politik. Si Silvinjo, ashtu edhe trajneri serb, deklaruan se janë në fushë për futboll dhe nuk u intereson pjesa tjetër. Dhe në fakt, ashtu duhet të jetë – kjo është një ndeshje futbolli, jo një ‘luftë’ ku duhet të shkojmë të vritemi.

Padyshim, fitorja sot për Shqipërinë ka rëndësinë e saj. Një fitore ndaj Serbisë na bën pretendentë për vendin e dytë në grup, pasi nuk diskutohet se vendi i parë i takon Anglisë. Pra, përtej nacionalizmit, kjo është një ndeshje me rëndësi për renditjen në tabelë. Por padyshim që do të motivojë lojtarët, të cilët me shumë mundësi do të përballen me sulme dhe kritika nga “atdhetarët” nëse Serbia triumfon sot.

Gjithçka është gati në “Air Albania”. Tifozët po futen dhe ekipet po bëjnë nxemjen. Sylvinho ka ndryshuar rreshtimin, duke hedhur në fushë Strakoshën në portë; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj në mbrojtje. Mesfusha është e përbërë me surpriza, me Shehun që nis titullar krah Asllanit, Laçit dhe Hoxhës, ndërsa sulmi përbëhet nga dyshja Manaj–Broja.

Sfida starton në orën 20:45.

Lini një Përgjigje