Nejmar do të duhet të presë akoma për të bërë debutimin e tij në Botëror. Sulmuesi brazilian nuk do të jetë në dispozicion të kombëtares së Brazilit as për përballjen ndaj Haitit, siç konfirmoi Federata Braziliane e Futbollit përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas komunikatës, është vendosur që lojtari të mos rrezikohet dhe të vijojë fazën përfundimtare të rikuperimit, duke qendruar në Nju Xhersi dhe pa udhëtuar me ekipin drejt Filadelfias për ndeshjen e radhës.
“Futbollisti Nejmar nuk do të udhëtojë me delegacionin në Filadelfia. Ai do të qëndrojë në Nju Xhersi për të optimizuar fazën finale të procesit të rikuperimit, duke shfrytëzuar një nga strukturat e specializuara të hotelit”, thuhet në deklaratën e federatës.
Vendimi duket se është marrë pas konsultimeve mes stafit teknik dhe lojtarit. Në seancën e fundit stërvitore të Brazilit, Nejmar u pa në një bisedë të gjatë me trajnerin Karlo Ançeloti, çka sugjeron se aty është diskutuar dhe vendosur që ai të mos aktivizohet ende.
Tashmë vëmendja është përqendruar te ndeshja e fundit e fazës së grupeve ndaj Skocisë, ku mbetet për t’u parë nëse Nejmar do të jetë plotësisht i gatshëm për të bërë debutimin e tij në turne.
Lini një Përgjigje