Argjentina mund të rikthejë flamujt dhe mesazhet për Ishujt Falkland (Malvinat, siç njihen në Argjentinë) në festimet e saj në rast se triumfon në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës.
Sipas raportimeve të fundit, skuadra argjentinase ka marrë dritën jeshile nga task-forca e FIFA-s në Shtëpinë e Bardhë për të ekspozuar këtë simbolikë nëse fiton trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Drejtuesi i kësaj strukture, Andrew Giuliani, ka deklaruar se futbollistët argjentinas duhet të kenë të drejtën të shprehin bindjet e tyre dhe se një mesazh i tillë nuk duhet të ndalohet.
“Lojtarët duhet të jenë të lirë të shprehin opinionet e tyre. Një mesazh i tillë nuk duhet të pengohet”, është shprehur Giuliani.
Çështja lidhet me një nga konfliktet më të ndjeshme kombëtare për Argjentinën. Ishujt Falkland, të quajtur Malvina nga Buenos Airesi, janë prej dekadash në qendër të një mosmarrëveshjeje territoriale mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Lufta e vitit 1982 mes dy vendeve për kontrollin e ishujve mbetet ende një plagë historike dhe emocionale për popullin argjentinas.
Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar polemika, pasi bie ndesh me qëndrimin tradicional të FIFA-s për të mbajtur politikën larg futbollit.
Rregulloret e FIFA-s dhe organizatave ndërkombëtare të futbollit përcaktojnë se stadiumet dhe aktivitetet sportive nuk duhet të përdoren për mesazhe politike, fetare apo ideologjike.
Një nga rastet më të fundit që riktheu debatin ishte ai i futbollistëve spanjollë pas triumfit në “EURO 2024”. Rodri dhe Alvaro Morata u dënuan nga UEFA me nga një ndeshje pezullim pasi gjatë festimeve të titullit evropian në Madrid kënduan sloganin “Gjibraltari është spanjoll”. UEFA e konsideroi këtë si përdorim të një eventi sportiv për një deklaratë me karakter jo-sportiv.
Ky episod ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohen mesazhet politike në futboll dhe nëse ekziston një standard i njëjtë për të gjitha kombëtaret.
Në rast se Argjentina mposht Spanjën në finalen e madhe në New Jersey, ceremonia e festimit të titullit mund të shoqërohet edhe me simbolikën e Malvinave, një çështje që për argjentinasit ka rëndësi të veçantë kombëtare.
Por ky vendim pritet të hapë një debat më të gjerë në futbollin modern: ku mbaron shprehja e identitetit kombëtar dhe ku nis përdorimi i sportit si platformë për mesazhe politike.
Lini një Përgjigje