TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2026, 13:26

Nga rritja ekonomike përfitojnë vetëm oligarkët pranë Ramës; protesta synon të rrëzojë këtë model të kalbur

Shkruar nga Lorenzo Mantiglioni
Nga rritja ekonomike përfitojnë vetëm oligarkët pranë
Protesta kundër Ramës në Tiranë

Pas më shumë se 50 ditësh protestash, "Revolucioni i Flamingove" ka tejkaluar mbrojtjen e mjedisit dhe është shndërruar në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe modelit politik të ngritur gjatë tri dekadave të fundit. Deputeti Agron Shehaj argumenton se rritja ekonomike nuk po përkthehet në mirëqenie për qytetarët, por po përfiton një rreth i ngushtë njerëzish pranë pushtetit.

Prej 50 ditësh, Tirana është përfshirë nga “Revolucioni i Flamingove”, i nisur kundër projektit të një resorti me vlerë 1.6 miliardë euro në Zvërnec, në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, dhe që tashmë është kthyer në një protestë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe sistemit politik postkomunist.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike, zgjedhje të parakohshme dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ata kundërshtojnë ligjet për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe investimet strategjike, duke akuzuar parlamentin se në vitin 2024 dobësoi mbrojtjen mjedisore për t'i hapur rrugë projektit të lidhur me fondin e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.

Lëvizja, e cila e cilëson veten apolitike dhe kritikon edhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha, ka marrë mbështetjen e këngëtares me famë botërore Dua Lipa. Ajo e ka cilësuar protestën një "burim frymëzimi" dhe ka ngritur shqetësimin se qeveria mund të ndryshojë ligjet pa konsultim me publikun.

E kush do ta mendonte se një shpend do të ishte në gjendje të vinte në krizë 13 vite qeverisje? Prej pothuajse dy muajsh në Shqipëri ka shpërthyer një valë protestash kundër kryeministrit Edi Rama, i akuzuar se po favorizon ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, duke prekur një pjesë të zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës, një territor ku jetojnë mijëra flamingo.

Pakënaqësia që nisi si një çështje mjedisore ka marrë tashmë përmasa shumë më të gjera, duke vënë në shënjestër të gjithë sistemin politik që ka drejtuar vendin që prej rënies së regjimit komunist. Deputeti shqiptar Agron Shehaj, drejtues i partisë Mundësia dhe njëkohësisht sipërmarrës, i cili në vitin 1991 emigroi në Itali në moshën 13-vjeçare, e cilëson këtë protestë si “historike”.

“Revolucioni i Flamingove” ka kaluar tashmë përtej mbrojtjes së mjedisit?

Protesta nisi si kundërshtim ndaj ndërtimit të resortit, por sot qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe kapërcimin e një sistemi të tërë të korruptuar që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë që mijëra shqiptarë të dalin në rrugë për një periudhë kaq të gjatë. Ndryshimi tashmë ka nisur, edhe falë drejtësisë, e cila është fuqizuar nga reforma e miratuar unanimisht nga parlamenti dhe ka hetuar e goditur shumë figura pranë pushtetit.

Mes tyre është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion dhe aktualisht në Zvicër, si edhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.

Megjithatë, Shqipëria po rritet ekonomikisht, raporti borxh-PBB po përmirësohet dhe turizmi po përjeton një “epokë të artë”...

Përfituesit e kësaj rritjeje ekonomike janë vetëm oligarkët, një grup i vogël njerëzish pranë Edi Ramës. Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Europës dhe duhet të ketë një rritje dyshifrore, jo vetëm 2 për qind, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë një jetë dinjitoze.

E kuptoj që një rritje prej 2 apo 2.5 për qind mund të duket e lartë në Itali, por duhet të kemi parasysh se rreth një e treta e popullsisë shqiptare është larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit. Dilema e të rinjve mbetet e njëjtë: të qëndrojnë apo të largohen?

Çfarë i mungon vendit për të hyrë në Bashkimin Europian?

Nëse ne nuk jemi ende anëtarë, kjo ndodh sepse kemi një klasë politike të korruptuar, e cila ka penguar një proces më të shpejtë integrimi. Aktualisht vuajmë mungesën e shtetit të së drejtës dhe të një drejtësie plotësisht të pavarur, edhe pse reforma në drejtësi, e kërkuar dhe e mbështetur nga Brukseli dhe Uashingtoni, përbën një ndryshim të madh.

Megjithatë, Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, sepse ky është objektivi i rreth 90 për qind të popullsisë.

A do t’i kishit ndërtuar ju qendrat për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër?

Po flasim për një marrëveshje që nuk është në interes të Shqipërisë. Unë nuk do të mbështesja kurrë një qendër për emigrantë të ndërtuar në një vend të tretë.

Në Itali flitet shumë për riatdhesimin e emigrantëve…

Unë nuk e di se çfarë nënkuptohet me këtë: të marrësh njerëzit, t'i vendosësh në autobus dhe t'i kthesh pas? Dhe sipas cilave kritere? Unë i jam shumë mirënjohës Italisë për atë që më ka dhënë dhe besoj se integrimi është rruga e duhur./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Quotidiano”

oligarkia protesta kunder rames

Lini një Përgjigje