
U hap në Tiranë, mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Muzeut Kombëtar ekspozita mbi jetën dhe karrierën e legjendës italiane të futbollit, Paolo Rosi. Për tri javë më radhë (1 deri 24 shkurt) futbolldashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shohin falas objekte, dëshmi apo reflektime të bashkëkohësve të ish-futbollistit të madh Italian.
Në fjalën e tij, kreu i FSHF-së Armand Duka tha se Rosi u largua fizikisht, por i ka dhënë shumë futbollit. Njëherazi, Duka zbuloi se kjo ekspozitë u realizua me këmbënguljen e kryeministrit Rama, i pranishëm në ceremoni.
"Jam i nderuar të hap këtë ceremoni për Paolo Rosin dhe legjendat e tjera. Kemi shumë miq nga sporti të ftuar. Dua të falenderoj kryeministrin Rama se ka qenë një iniciator që kjo ekspozitë të jetë në Tiranë. Me ne është edhe kreu i Federatës së Futbollit Italian, një mik i yni që ka ardhur në vendin tonë edhe në ditë të vështria të Covidit. Kemi këtu edhe Arrigo Sacchin, një legjendë e futbollit. Kemi edhe arbitrin e Brazil - Itali në vitin 1982.
Ne jemi me fat që kemi parë Paolo Rossin të luajë futboll, sidomos në kulmin e tij në 1982 që i dha titullin kampion Italisë në Botë pas më shumë se pesë dekadash. I ka dhënë kënaqësi futbollit në Itali dhe jo vetëm. Rossi u nda fizikisht nga jeta, por jo nga ato që ka lënë dhe këtë tregon kjo ekspozitë", tha Armand Duka.
Kjo ekspozitë e veçantë e inauguruar sot në Muzeun Kombëtar dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 24 shkurt. Të gjithë të apasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror ndër vite si Maradona, Pelè, Alfredo di Stefano, Gerd Muller, Giuseppe Meazza, Sandro Mazzola, Bobby Charlton, George Best, Falcao, Lev Yashin, Ferenc Puskas, Franz Beckenbauer, Johan Cruyff, Dino Zoff, Hristo Stoichkov, Lothar Matthaus, Roberto Baggio, Paolo Maldini, Franco Baresi, Marco Van Basten, Michel Platini, Ronaldo, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Zinedine Zidane, Neymar, Zlatan Ibrahimovic, Luis Figo, Eusebio, Gianluigi Buffon, Francesco Totti, Andrea Pirlo, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Luka Modric e shumë të tjerë.
Por jo vetëm, pasi në këtë ekspozitë do t’i kushtohet një hapësirë e veçantë edhe historisë së futbollit shqiptar, e kuruar Federata Shqiptare e Futbollit, ku do të vendosen objekte, relike dhe foto të momenteve historike si dhe një zonë të rëndësishme në katin e dytë të Muzeut kushtuar legjendave të historisë së futbolli ndërkombëtar.
Falë mbështetjes së FIFA-s dhe disa prej koleksionistëve më të rëndësishëm në botë do të sillen në këtë ekspozitë gjithashtu një sërë objektesh unike si fanella, këpucë, tuta, topa, foto, dokumente, trofe dhe medalje, që u përkasin legjendave më të mëdha të futbollit botëror duke përfshirë edhe fanellat e 47 fituesve të Topit të Artë nga viti 1956 e deri më sot.
Lini një Përgjigje