
Gazetari sportiv italian, Paolo Paganini, ka kritikuar ashpër drejtuesit e Juventusit për mënyrën si është menaxhuar merkatoja e verës. I ftuar në emisionin “Maracana” në TMW Radio, ai vuri në dukje disa prej transferimeve që, sipas tij, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Sipas Paganinit, Juventusi po paguan pasojat e zgjedhjeve të gabuara në merkato. Ai përmendi situatën e Mekkenit, duke theksuar se pa ndërhyrjen e Spaletit, që sipas tij “e shpiku” lojtarin, do të kishte qenë një tjetër problem, veçanërisht në një moment kur kontrata e tij është drejt përfundimit.
Duke komentuar rastin e Randal Kolo Muanit, gazetari përdori një krahasim simbolik: “Në merkaton e verës, Kolo Muani dukej si Tom Hanks në ‘Terminal’. Ai donte të shkonte te Juve, ngeci aty dhe më pas nuk u transferua”, u shpreh Paganini.
Ai përmendi gjithashtu kostot e larta që, sipas tij, rëndojnë mbi klubin torinez, si paga dhe komisionet për Davidin, si dhe transferimet e Opendës dhe Edon Zhegrovës. “Duhej të ishte marrë dikush që donte të vinte dhe e njihte tashmë ambientin, në vend të atyre të treve”, deklaroi ai.
Ndër emrat që Paganini e cilësoi si zgjedhje të gabuar ishte edhe sulmuesi shqiptar Edon Zhegrova. Kujtojmë se Juventusi e transferoi Zhegrovën nga Lille në shtatorin e kaluar, duke paguar fillimisht 15.5 milionë euro. Me shtesat dhe bonuset e parashikuara në kontratë, shuma totale e transferimit mund të arrijë në 23 milionë euro.
Deklaratat e gazetarit vijnë në një moment kur Juventusi po përballet me pritshmëri të larta nga tifozët dhe presion për rezultate, ndërsa diskutimet për strategjinë e klubit në merkato mbeten të hapura.
Lini një Përgjigje