
Skënderbeu ka lënë pas barazimin me Korabin dhe është rikthyer te fitorja në Kategorinë e Parë, pasi mposhti Apoloninë me rezultatin 3-2 në sfidën e radhës. Skuadra korçare arriti të përmbysë rezultatin, duke i shtuar më tej vështirësitë ekipit fierak, i cili vijon të mbetet në zonën e poshtme të klasifikimit.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe ishte Apolonia që zhbllokoi shifrat që në minutën e 7-të, falë golit të Sulos. Megjithatë, reagimi i Skënderbeut ishte i menjëhershëm. Në minutën e 29-të, Nasr riktheu baraspeshën, duke mbyllur pjesën e parë në shifrat 1-1.
Në fraksionin e dytë, vendasit morën kontrollin e lojës. Nasr realizoi golin e dytë personal në minutën e 61-të nga pika e bardhë e penalltisë, përpara se të vuloste suksesin me një tjetër realizim në minutën e 79-të, duke çuar rezultatin në 3-1 për “ujqërit e dëborës”.
Apolonia tentoi të rikthehej në lojë në minutat e fundit. Në të 89-ën, Topi shkurtoi diferencën në 3-2, por pa mundur të shmangë humbjen për skuadrën fierake.
Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 51 pikëve, duke e çuar në tre pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë. Në krahun tjetër, Apolonia mbetet me 24 pikë dhe pozicionohet në vendin e nëntë të klasifikimit, duke e bërë edhe më delikate situatën e saj në kampionat.
Lini një Përgjigje