
Florent Hadërgjonaj dhe Enis Bardhi ishin në qendër të vëmendjes pasditen e sotme në ndeshjen mes Alaniasporit dhe Koniasporit, e cila përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të vendasve.
Sfida u zhbllokua në minutën e 37-të, kur Raun dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Alaniasporit. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0.
Në fraksionin e dytë, vendasit arritën të dyfishonin avantazhin në minutën e 80-të. Florent Hadërgjonaj u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke çuar rezultatin në 2-0 dhe duke e afruar skuadrën e tij drejt fitores.
Koniaspori reagoi vetëm tre minuta më pas. Në minutën e 83-të, Enis Bardhi realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit, duke rihapur përkohësisht ndeshjen. Megjithatë, përpjekjet e miqve nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e takimit.
Me këtë sukses, Alaniaspori siguroi tri pikë të rëndësishme në kampionat. Për Hadërgjonajn ky ishte goli i tretë në 18 ndeshje sezonale, ndërsa Bardhi regjistroi golin e katërt në 21 javë kampionat.
Lini një Përgjigje