Kosova synonte medalje elitare përmes bokseres, Donjeta Sadiku në Kampionatin Botëror të Boksit që do të fillojë të martën në Indi, por paraqitja e saj atje është pranë dështimit.
Vendi organizator, India, nuk ka lëshuar viza për Donjetën dhe ekipin e saj shoqërues pikërisht për shkak se ata nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri te fillimi i kampionatit, KosovaPress mëson nga burimet e saj se Ministria e Sportit është edhe në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë dhe kjo e fundit ka kërkuar që Kosova mund të jetë pjesë e Kampionatit Botëror vetëm nëse pranon të garojë pa simbole shtetërore.
Gjithnjë sipas burimeve, thuhet se MKRS dhe Federata e Boksit janë duke u konsultuar rreth kësaj kërkese dhe në orët e ardhshme do të dalin me një vendim zyrtar.
Ndryshe, për shkak se disa shtete e kanë braktisur këtë kampionat, shkaku i pjesëmarrjes së atletëve rusë, Donjeta Sadiku është boksierja favorite për ta fituar medaljen e artë në Indi.
Lini një Përgjigje