
Teuta ka rikthyer buzëqeshjen në kampionat, duke mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1 në stadiumin “Niko Dovana”, pas pesë javësh pa fitore. Sfida e zhvilluar në Durrës u karakterizua nga ritëm i lartë dhe përmbysje rezultati brenda pjesës së parë.
Ballshiotët e nisën ndeshjen në mënyrë mjaft pozitive, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të. Aurel Marku devijoi topin në rrjetë pas një krosimi të ardhur nga goditja e dënimit, duke befasuar mbrojtjen vendase dhe duke i dhënë epërsinë ekipit të Bylisit.
Megjithatë, përgjigjja e durrësakëve ishte e shpejtë. Vetëm dy minuta më pas, në të 5-ën, Daniel Uotlai barazoi shifrat me një goditje me kokë, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, me të dyja skuadrat që kërkuan avantazhin.
Në pjesën e dytë, vendimtare rezultoi minuta e 56-të. Pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Ergi Arifit, Teuta fitoi një goditje dënimi në një pozicion të favorshëm. Ekzekutimi i Blerim Kotobellit ishte i saktë dhe topi përfundoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin përfundimtar vendasve.
Kapiteni i Teutës ia dedikoi golin babait të tij, i cili ndërroi jetë gjatë kësaj jave, në një moment emocional për skuadrën durrsake.
Me këtë fitore, Teuta ngjitet në kuotën e 30 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në renditje. Nga ana tjetër, Bylis mbetet në vendin e nëntë me 20 pikë.
Lini një Përgjigje