TAGS-AT E JAVËS

Sport22 Nëntor 2025, 22:26

Kosova ndjen erën e kualifikimit në Kupën e Botës 2026, një dekadë pas pranimit në FIFA

Shkruar nga Ekrem Idrizi

Kosova ndjen erën e kualifikimit në Kupën e Botës 2026,

Kur Kosova nisi fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në shtator, kishte vetëm një fitore në gjithë historinë e saj të re në kualifiueset e Botërorit, dhe disfata e thellë nga Zvicra në ndeshjen hapëse për turneun e verës së ardhshme, i bëri shumë të mendojnë se ekipi kombëtar po shkonte drejt një tjetër dështimi.

Por, sa hap e mbyll sytë, Kosova arriti tri fitore dhe dy barazime në një ndryshim drastik dhe mahnitës brenda muajsh për të arritur “play off”-in, dhe tani është një hap larg arritjes në Kupën e Botës, pikërisht në 10-vjetorin e pranimit në shtëpinë e futbollit botëror, FIFA.

Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne të madh, dhe Kupa e Botës verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara do të jetë e para.

Dhe, për ta arritur ketë, fillimisht ajo duhet të fitojë edhe dy ndeshje të tjera në “play off” në mars, gjysmëfinalen kundër Sllovakisë dhe finalen e mundshme kundër fituesit të ndeshjes Turqi-Rumani.

Për analistin dhe profesorin e sporteve në Universitetin e Prishtinës, Malsor Gjonbalaj, kualifikimi i Kosovës në Kupën e Botës “do të ishte diçka mbresëlënëse, do të ishte përfaqësimi më i mirë që do t’i bëhej vendit në arenën ndërkombëtare”.

Sepse, e dini çfarë popullariteti të madh gëzon futbolli, çfarë vëmendje të madhe ka anëembanë botës, prandaj paraqitja e Kosovës në një ngjarje si Kupa e Botës, do të ishte njohja më e mirë për shtetin e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gjonbalaj, po ashtu ish-futbollist.

Pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës në Bazel në shtator, trajneri i verdhekaltërve, Franko Foda, pranoi se ekipi i tij u paraqit dobët në mbrojtje në një formacion sulmues 4-3-3 dhe vendosi të ndryshojë qasje dhe taktikë.

Sot, megjithëse kishim shumë duele, i humbëm ato vendimtaret dhe kjo ndikoi në rezultatin final. Kundër Suedisë këtë gjë duhet ta bëjmë shumë-shumë më mirë”, tha ai pas humbjes.

Foda pastaj ndryshoi skemën dhe kaloi në një formacion klasik 4-4-2 në përballjen e radhës me Suedinë tri ditë më vonë në Prishtinë, duke luajtur futboll mbrojtës, falë të cilit Kosova shënoi dy herë me kundërsulme. Taktikat e tij kryen punë dhe Kosova mori fitoren e parë në Grupin B kualifikues, 2-0.

Pas një paraqitjeje jo shumë të pëlqyer në barazimin pa gola kundër Sllovenisë në ndeshjen pasuese në shtëpi, Kosova fitoi dy ndeshjet e radhës kundër Suedisë (1-0) dhe Sllovenisë (2-0) për të siguruar "play off“-in, pasi iu qëndroi besnike taktikave të Fodës.

Ajo barazoi 1-1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit në grup në nëntor, duke grumbulluar në fund 11 pikë në vendin e dytë, mjaftushëm për të kapur “play off“-in, pasi Zvica u kualifikua direkt si vendi i parë në grup.

Gjonbalaj vlerëson se kjo vjen falë një pune të gjatë të trajnerit dhe disiplinës që ai ka sjellë në kombëtare.

Në këtë rast kemi të bëjmë me punë për një kohë bukur të gjatë, një planifikim dhe, sidomos, kemi në krye të ekipit një trajner, i cili e ka realizuar taktikën e lojës me mjaft disiplinë, i ka përzgjedhur lojtarët mjaft mirë dhe mendoj se homogjeniteti i ekipit është çelësi kryesor i këtyre rezultateve deri tani”, thekson ai.

Foda, i cili e mori drejtimin e kombëtares më 2024, bëri shumë ndryshime në ekipin e parë, i ndihmuar shumë edhe nga prurjet e reja, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme në ekip deri tani.

Pas “play off“-it të dështuar për Kampionatin Evropian 2020, kur u mposht nga Maqedonia e Veriut, Kosova po vuante të rindërtonte mesfushën, veçanërisht pas largimit të Hekuran Kryeziut dhe Herolind Shalës.

Pas shumë vitesh përpjekje, Federata e Futbollit arriti të sjellë disa mesfushorë të talentuar, si Elvis Rexhbeçaj më 2024 dhe Leon Avdullahu e Veldin Hoxha në prag të kualifikueseve këtë verë.

Rexhbeçaj, i cili luan për Augsburgun në Gjermani, dhe Avdullahu, i cili është pjesë e Hofenheimit, po ashtu në Gjermani, kanë qenë vendimtarë përkrah Florent Muslijas, i cili ka pasur më shumë detyra sulmuese.

Foda, madje, e vendosi mbrojtësin e djathtë të Comos në Itali, Mërgim Vojvoda, në krahun e djathtë të mesfushës, falë aftësive të tij teknike.

Tani kemi në mesfushë lojtarë që vrapojnë, mbajnë barrën, kanë disiplinë të jashtëzakonshme në lojë, siç janë Avdullahu, Rexhbeçaj, Hoxha. Ata bëjnë edhe një lojë të mirë sulmuese me Muslijan, i cili i bashkohet sulmuesve, si një lojtar shumë kreativ dhe teknik, i cili po ndihmon të vijmë më shpejt te goli”, nënvizon Gjonbalaj.

Taktikat e Fodës nënkuptuan, gjithashtu, se ai që shihet si ylli më i madh dhe më i vlefshëm i kombëtares, Edon Zhegova, të mbetej jashtë ekipit të tij startues.

Zhegrova, i cili iu bashkua në verë gjigantit italian Juventus, është sulmues anësor që përshtatet kryesisht në një formacion sulmues 4-3-3.

Lënia e Zhegrovës jashtë formacionit startues habiti shumë njerëz në Kosovë, por Fodës iu shpagua kjo qasje.

Ne kemi një numër të madh të futbollistëve, secili e meriton të luajë, por secili duhet të jetë i bindur që për të përfaqësuar shtetin mjaftojnë edhe 30 sekonda apo një minutë lojë. Prandaj, asnjëri nuk duhet të ndihet i fyer kur nuk luan”, thekson Gjonbalaj.

Nuk është vetëm mesfusha që është përmirësuar gjatë kësaj kohe pas ardhjeve të reja, por edhe sulmi me Fisnik Asllanin e Hofenheimit dhe, posaçërisht mbrojtja, ku Albian Hajdari dhe Dion Gallapeni kanë lënë mbresa.

Gallapeni, 19 vjeç, është mbase përforcimi më i dëshiruar te Kosova, që ka pasur shumë vështirësi të gjejë një mbrojtës të majtë solid.

Por, a u ndihmua Kosova edhe nga faktorë të tjerë? Gjonbalaj mendon se po.

Nga katër kombëtaret në Grupin B, vetëm Kosova dhe Zvicra arritën fitore. Suedia e Sllovenia nuk ia dolën të merrnin më shumë se barazime.

Që të dy kanë treguar formë të dobët në këto ndeshje kualifikuese, duke pasur parasysh të kaluarën e tyre.

Suedia u paraqit ndaj Kosovës me dy prej sulmuesve më të shtrenjtë në historinë e Premierligës Angleze, Aleksandër Isak të Liverpulit dhe Viktor Giokeres të Arsenalit.

Nuk ka ekip të lehtë për t’u mposhtur, por është e vërtetë që ata nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë në këto ndeshje”, thotë Gjonbalaj.

Suedia, megjithatë, është në “play off“ ashtu si Kosova, jo përmes rrugës së kualifikueseve, por përmes Ligës së Kombeve, dhe në fund mund të jetë pjesë e Kupës së Botës në verë.

Kosova do të donte që ndeshjet e “play off“-it të zhvilloheshin tani, duke parë formën e skuadrës, por asaj do t’i duhet të presë deri në fund të marsit, që nënkupton se është mbase herët të flitet për gjasat e kualifikimit në Botëror.

“Dardanët“ do të udhëtojnë në Bratislavë më 26 mars për t’u përballur me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale të “play off“-it, të cilën duhet ta fitojnë patjetër për të mbajtur gjallë shpresat për një finale që do ta çonte në Botëror.

Mos të harrojmë, jemi në ekzaltim, sepse jemi në “play off“, por nuk e kemi kryer punën ende, duhet qetësi e madhe dhe punë e madhe profesionale, për të arritur kualifikimin, sepse bëhet fjalë për dy ekipe shumë të forta”, vlerëson Gjonbalaj.

Finalen e mundshme, Kosova do ta zhvillonte në Prishtinë kundër fituesit të përballjes tjetër të çiftit Turqi-Rumani më 31 mars.

Teksa beson se gjasat me Sllovakinë janë shumë reale, Gjonbalaj beson se përballja e mundshme me Turqinë do të ishte shumë më e vështirë.

Mendoj se me Sllovakinë kemi shumë gjasa, ndërsa në ndeshjen finale pres të kemi kundërshtar Turqinë, e cila, mendoj se është ekip shumë i papërshtatshëm për ne, por do të kemi mundësi sepse luajmë në shtëpi”, thekson ai./REL

kosova kualifikueset e botërorit

Lini një Përgjigje