
Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi e mbylli në vendin e 15-të ndalesën e radhës të Kupës së Botës për Ski, në disiplinën e Slalomit Gjigant, që u zhvillua në pistën e Tremblant në Kanada. Edhe pse me start të mirë, 19-vjeçarja nuk arriti të mbante ritmin në lëshimin e dytë, duke humbur terren në renditjen finale.
Në lëshimin e parë, Lara regjistroi kohën 1:08.78, që e renditi në vendin e 11-të, duke lënë shpresë për një ngjitje në podium. Por në lëshimin e dytë, me kohën 1:06.67, ajo u rendit në vendin e 15-të, që mbeti edhe pozicioni i saj përfundimtar me një total prej 2:15.45, 2.45 sekonda larg fitueses.
Triumfin në këtë garë e mori austriakja Julia Scheib, ndërsa në vendin e dytë u ngjit Sara Hector nga Suedia dhe podiumi u mbyll me Alice Robinson nga Zelanda e Re.
Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka regjistruar këtë sezon dy medalje argjendi dhe një të bronztë, duke konfirmuar veten si një nga talentet më premtuese në sportin e skive. Pavarësisht këtij rezultati, ajo mbetet një pretendente serioze në garat e ardhshme të Kupës së Botës, të cilat shërbejnë si përgatitje kyçe për Olimpiadën Dimërore “Milano-Cortina 2026”.
Lini një Përgjigje