
Vllaznia bëhet ekipi i katërt që pret biletën për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët kanë mposhtur Erzenin me rezultatin 6-1 në kohën shtesë, pasi 90 minutat e këtij takimi u mbyllën me fitoren e ekipit verior me rezultatin 2-1, ashtu si përfundoi edhe ndeshja e parë.
Shkodranët kaluan të parët në avantazh në minutën e 13. Top në thellësi në të majtë për Grudën, i cili ishte i vetëm në fundore, pati kohën e mjaftueshme të gjente Malën në qendër dhe ky i fundit nuk gaboi, duke dërguar topin në rrjetë.
Në minutën e 40, pas 2 minutash pritje nga VAR-i, gjyqtari Orlando Kuka u sinjalizua për të parë pamjet. Pasi verifikoi pamjet, ai anuloi kartonin e verdhë që kishte dhënë më parë dhe nxori të kuqin për Atandën, pasi e vlerëson si lojtar të fundit.
Në minutën e 45+1, Vllaznia dyfishoi shifrat. Mala gjeti korridorin, i cili nis Balajn drejt portës dhe ky i fundit nuk gaboi i vetëm para Hasanbellit.
Në pjesën e dytë, më konkretisht në minutën e 63, Erzeni shkurtoi shifrat. Aksion i gjatë i shijakasve me Kahrimanoviç, i cili nga e djathta pasoi në qendër ku Stojanoviç gaboi duke devijuar topin nëportën e vet.
Me rezultatin 2-1 u mbyll edhe 90 minutëshi i këtij takimi. Në minutën e 98, ekipi i Qatip Osmanit trefishoi rezultatin. Harkim perfekt i Smajlit nga e djathta, Gomesh kërceu dhe me një gjuajtje me kokë gjeti golin për shkodranët.
Në minutën e 108, shkodranët vulosën rezultatin përfundimtar në 4-1 dhe siguruan kualifikimin në gjysmëfinale. Aksion i vrullshëm i shkodranëve në krahun e majtë, Hakaj gjeti në zonë Balajn, i cili u tregua i saktë.
7 minuta më vonë, Vllaznia realizoi “manitën”. Kundërsulm i shpejtë i Çobës nga e djathta, pasimi i tij në qendër mbërriti te Gomesh, i cili gjuajti dhe tundi rrjetën.
Në minutën e 120+1, Vllaznia e ktheu në tenis, duke realizuar edhe golin e gjashtë. Pas një goditje dënimi, Gomesh me kokë shënoi golin e tij të tretë personal.
Kështu, Vllaznia bëhet skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pas Tiranës që kualifikua ditën e sotme falë penalltive të fituara ndaj Teutës, si dhe Kukësit e Egnatias që u kualifikuan ditën e djeshme.
Lini një Përgjigje