TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Prill 2026, 11:27

Manchester City–Arsenal, përballja që mund të vendosë titullin në Premier League

Shkruar nga Pamfleti

Manchester City–Arsenal, përballja që mund të vendosë

Vëmendja e botës së futbollit, veçanërisht e tifozëve të Premier League, është përqendruar sot te sfida mes Manchester City dhe Arsenal, një ndeshje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titullin kampion.

Aktualisht, Arsenal kryeson me 6 pikë diferencë, por në rast fitoreje të Manchester City, kjo diferencë do të ngushtohej në 3 pikë, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka edhe një ndeshje më pak për të zhvilluar.

Përballja do të luhet në stadiumin “Etihad”, duke nisur nga ora 17:30, ku gjithçka pritet të vendoset në fushën e lojës.

Arsenal vjen në këtë sfidë pas humbjes së javës së kaluar ndaj Bournemouth, ndërsa përballet edhe me mungesa të rëndësishme për shkak dëmtimesh. Trajneri Mikel Arteta ka konfirmuar se Bukayo Saka nuk do të jetë i gatshëm, ndërsa Madueke është rikuperuar, por mbetet e paqartë sa minuta do të luajë. Probleme fizike kanë pasur edhe lojtarë si Calafiori, Odegaard dhe Timber, ndërsa Merino, ashtu si Saka, nuk është ende gati.

Para ndeshjes, Arteta është shprehur se skuadra e tij nuk do të hyjë në fushë për barazim, por do të synojë vetëm fitoren. Nga ana tjetër, Guardiola ka theksuar se aspekti psikologjik do të luajë një rol kyç në këtë përballje, duke shtuar se ndjek shpesh ndeshjet e Arsenalit, ekip që këtë sezon ka qenë shpesh objekt kritikash për lojën.

Arsenal, që numëron 13 tituj kampion në Premier League, nuk e ka fituar trofeun që prej vitit 2004. Në përballjet e këtij sezoni, londinezët kanë barazuar 1-1 në kampionat ndaj City-t, ndërsa janë mposhtur 2-0 në finalen e Carabao Cup nga skuadra e Guardiolës.

Lini një Përgjigje