
Milani zhgënjen në “San Siro”, teksa barazoi 2-2 në frymën e fundit me Torinon, në javën e parë të Serisë A.
Një barazim që erdhi në minutat shtesë pas një rizgjimi në fundin e takimit, kur në fushën e lojës hyri Alvaro Morata, debutues me gol te kuqezinjtë.
Kuqezinjtë ishin më kërkues në këtë sfidë, duke krijuar dhe shpërdoruar raste të shumta para portës së Torinos. Por miqtë u treguan cinikë, kur gjetën avantazhin falë autogolit të Çiau në pjesën e parë.
Milani insistoi dhe kërkoi me çdo kusht golin, teksa Fonseka hodhi në fushë edhe Moratan, të lënë fillimisht në stol. Me spanjollin në majën e sulmit, kuqezinjtë ishin më ngulmues, por u goditën përsëri nga një pavëmendje, me Zapata i cili dyfishoi shifrat.
Gjithsesi, ishte Morata ai që rihapi ndeshjen me një devijim të saktë në minutën e 89, duke bërë që Milani të hidhej i tëri në sulm. Nga ofensiva kuqezi erdhi edhe barazimi i Okafor, i cili të paktën i dha një pikë skuadrës së tij në ndeshjen e parë të kampionatit.
Lini një Përgjigje