TAGS-AT E JAVËS

Sport31 Mars 2026, 11:21

Miqësorja Ukrainë-Shqipëri, Sylvinho: Do të ketë 2-3 ndryshime në formacion

Shkruar nga Pamfleti

Miqësorja Ukrainë-Shqipëri, Sylvinho: Do të ketë 2-3

Pesë ditë pas humbjes në Poloni, që i dha fund shpresave për një kualifikim në Botëror, kombëtarja shqiptare e futbollit rikthehet në fushë mbrëmjen e sotme për një ndeshje miqësore ndaj Ukrainës, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Valencias.

Ashtu siç paralajmëroi në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho pritet të bëjë disa lëvizje në formacion, duke qenë se bëhet fjalë për një takim miqësor. Në portë pritet të konfirmohet Strakosha, ndërsa në qendër të mbrojtjes do të jenë Cake dhe Gjimshiti.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet të luajë Hysaj, ndërsa në të majtë Pilon. Në repartin e mesfushës nuk priten ndryshime, me Laçin, Shehun dhe Asllanin që do të formojnë treshen kryesore.

Ndryshimet më të mëdha priten në sulm, ku në krahun e djathtë mund të aktivizohet Anis Mehmeti, ndërsa në të majtë Arbër Hoxha. Në majë të sulmit vijon balotazhi mes Brojës dhe Uzunit, me këtë të fundit që duket më i favorizuar për një vend titullari.

Vetë tekniku brazilian e ka cilësuar këtë sfidë si një mundësi për të testuar lojtarët që kanë pasur më pak hapësira, por ka theksuar gjithashtu rëndësinë e rezultatit edhe në ndeshjet miqësore.

“Nuk besoj se duhet të bëhen 6-7 apo 8 ndryshime. Është një mundësi për t’u dhënë minuta lojtarëve të cilët kanë luajtur më pak, por skuadra duhet të mbetet e organizuar si në çdo ndeshje të mëparshme. Mund të bëjmë 2-3 ndryshime nga ndeshja me Poloninë”, tha Sylvinho, trajner i kombëtares.

Edhe kapiteni Berat Gjimshiti është ndalur te humbja me Poloninë, duke theksuar se ajo nuk duhet të zbehë gjithë rrugëtimin e skuadrës në eliminatore. Sipas tij, ekipi duhet të reagojë duke nisur nga përballja me Ukrainën.

“Ne kemi në mendje ndeshjen me Ukrainën që kemi humbur para pak kohësh. Është në nivele si ne, Polonia, Suedia, skuadra që ishim në final four. Duhet vlerësuar si kundërshtar. Jemi të mërzitur por sa më shumë kohë kalon duhet të kthehemi më të fortë. Të marrim diçka pozitive në këtë ndeshje”, tha kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti.

Ndërkohë, kjo përballje mund të jetë edhe e fundit për Sylvinhon në krye të kombëtares, pasi kontrata e tij përfundon në muajin korrik. UEFA ka caktuar një trupë gjyqtarësh nga Spanja për këtë ndeshje, me Juan Martinez Munuera si arbitër kryesor.

Lini një Përgjigje