
Skuadra serbe arrin në “Air Albania”, trajneri dhe kapiteni në konferencë shtypi...
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, bashkë me kapitenin e ekipit, kanë dalë këtë pasdite në konferencë për shtyp. Ekipi serb mbërriti në Tiranë në mesditë dhe u shoqërua në hotel nën masa të forta sigurie.
Pak më parë ata u drejtuan drejt “Air Albania”, ku do të zhvillohet seanca stërvitore, teksa trajneri dhe kapiteni dolën para mediave.
Tekniku serb vlerësoi kuqezinjtë, duke thënë se kanë një ekip të mirë, ndërsa veçoi trajnerin Silvinjo. Sipas tij, Serbia duhet të ketë kujdes, sepse Shqipëria mund të ndëshkojë.
“Kjo është ndeshja e parë për ne në kualifikuese, Shqipëria i ka bërë dy ndeshje. Shqipëria është një ekip i mirë, ka lojtarë të mirë dhe një trajner të shkëlqyer si Silvinjo. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar. Nuk duhet të bëjmë gabime, sepse mund të na ndëshkojnë.
Kemi ndjekur pesë ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Është ekip i motivuar dhe i përgatitur mirë. Si ekip janë të sigurt dhe me vetëbesim. Mendoj që për atë që treguan në Europian, e merituan të ishin aty.
I pasqyron agresiviteti në fushë. Janë lojtarë kualitativë. Strakosha është i shkëlqyer, Gjimshiti po ashtu. Janë një ekip solid. Lojtarëve ua kemi thënë atë që duhet. Kemi thënë informata të sakta për lojtarët. Mendoj se edhe kundërshtari ka bërë të njëjtën gjë”, u shpreh Stojkoviç.
Edhe pse vlerësoi shumë ekipin kuqezi, ai tha se ata synojnë 3 pikët. Trajneri serb tha se nuk i kënaq fare barazimi.
“Në Tiranë kemi ardhur për fitore dhe jo për barazim. Do bëjmë të pamundurën për ta arritur këtë. Çdo gjë që është bërë për këtë ndeshje, jam i kënaqur. Jam i lumtur për mënyrën si janë sjellë lojtarët për këtë ndeshje. Të shohim edhe stërvitjen e radhës dhe nëse është çdo gjë në rregull, formacioni do të jetë ai që kam në kokë. Çdo ndeshje ka diferencë nga njëra te tjetra. Duhet të jemi të fokusuar për të mposhtur Shqipërinë. Nuk mundemi të fitojmë ndaj Shqipërisë nëse nuk luajmë shumë mirë”, deklaroi Stojkoviç.
Tekniku i Serbisë, Dragan Stojkoviç, është përplasur edhe me një gazetar serb lidhur me ndeshjen e nesërme. Gazetari tentoi ta çojë ndeshjen në një tjetër nivel, atë politik, duke pyetur trajnerin mbi raportet e tensionuara mes dy vendeve. Por kjo e acaroi teknikun, i cili u shpreh se ka ardhur për futboll dhe nuk i intereson asgjë tjetër.
“Nuk po mendoj fare për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Nuk e di si mund ta bëni një pyetje të tillë”, u shpreh tekniku Dragan Stojkoviç.
Lini një Përgjigje