
Kreu i qeverisë së futbollit u shpreh se objektivi i skuadrës në këto kualifikuese u arrit, pavarësisht vështirësive, duke qenë se në grup bëjnë pjesë ekipe si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra.
Presidenti Duka e cilësoi ndeshjen ndaj Serbisë si një prej më të bukurave të këtyre kualifikueseve teksa foli për sfidën e nesërme kundër Anglisë në “Air Albania”, gjithashtu edhe për play-off-in dhe kundërshtarët e mundshëm.
“Çdo kualifikim, qoftë ai në finalet e Europianit më parë por edhe ky tashmë në play-off ka gjithmonë emocionet e veta dhe ndryshon njëra nga tjetra. Emocione të bukura. Por kualifikimi në play-off të Kampionatit Botëror është historik për ne dhe besoj se të gjithë duhet të ndihemi me fat që jetojmë në këtë epokë”, tha Armando Duka.
Në fjalën e tij numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit pranoi se objektivi i kuqezinjve ka qenë vendi i dytë.
“E dinim se me Anglinë do e kishim shumë të vështirë. Jo të pamundur, pasi në futboll ndodh gjithçka, por e dinim që do ishte e vështirë. Me Serbinë kishim ndeshje vërtetë sensitive, por përballjet direkte i kishim me ta. ashtu sikurse duhet vlerësuar edhe Letonia e Andorra. Mos të harrojmë barazimin në Letoni sepse e kam thënë dhe vazhdoj ta them që nuk ka më ekipe të lehta. E kam besuar, sepse kam parë çdo përgatitje të skuadrës dhe kam qenë në çdo grumbullim”, tha Duka.
Lini një Përgjigje