Sport 5 Maj 2023, 16:29

Nga balta e Drenicës dhe Partizani te titulli kampion me Napolin, “përralla” mban emrin Rrahmani, 29-vjeçari, shqiptari i dytë që fiton Serinë A

Shkruar nga Pamfleti

Nga balta e Drenicës dhe Partizani te titulli kampion me Napolin,

Moment historik për Amir Rrahmanin. Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, është duke jetuar një ëndërr, teksa mbrëmjen e djeshme arriti të shpallej zyrtarisht kampion i Serisë A. Nga Partizani te titulli në Itali, mbrojtësi 29-vjeçar po hedh hapa galopantë në karrierën e tij, duke u shndërruar në një model inspirues për të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm. 

Mbrojtësi dhe kapiteni i Kosovës ka qenë shtylla e prapavijës për të tijtë, duke u aktivizuar në 25 ndeshje dhe në total ka grumbulluar 2089 minuta. Veç lojës së mirë, 29-vjeçari ka shënuar edhe dy gola dhe dhuruar një asist. I lindur në Prishtinë, Rrahmani as në ëndrrat më të bukura nuk e kishte imagjinuar se do ishte kampion në Serinë A me Napolin.

I dalë nga moshat e Drenicës, Rrahmani në vitin 2010 stërvitej në baltën e Skënderajt në Kosovë, teksa pamjet tregojnë forcën e pasionit dhe këmbënguljes. Jeta dhe karriera sjellin befasi, për mrekullinë titull.

"Përralla" me emrin Amir Rrahmani do merrte jetë në vitin 2013, atëherë kur djaloshi 19-vjeçar do bashkohej me Partizanin në Superligën shqiptare. RNK Split, Dinamo Zagreb dhe Lokomotiva e Zagrebit ishin përvoja kroate që farkëtoi durimin e një kampioni të ardhshëm.

Kalimi në vitin 2019 në Serinë A me Veronën dhe më pas me Napolin në verën e vitit 2020, i hapi rrugë një historie të mrekullueshme që kulmoi zyrtarisht dje me titullin kampion. Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Rrahmanin, që nga balta e Drenicës formoi kampionin e vitrinave të Italisë. Amir Rrahmani bëhet shqiptari i dytë që fiton titullin kampion në Serinë A, pas Naim Kryeziut në vitin e largët 1942 me Romën.

amir rrahmani kapiteni i kosovës napoli