
Nga “ferri” në “parajsë”. Tirana bën përmbysjen e madhe në kryeqytet. Bardheblutë kanë mposhtur Kukësin në “Selman Stermasi” me rezultatin 3-2.
Kryeqytetasit e panë veten në avantazh në minutën e 14. Skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj gjeti rrugën e rrjetës me një gjuajtje fantastike me thembër nga Deliu.
Në minutën e 53, Kukësi barazoi shifrat, Aksion i shpejtë i Selmanit në të djathtën, aty ku topi shkoi në qendër te Beshiraj, i cili nuk gaboi para portës.
9 minuta më vonë, verilindorët mbetën me 10 lojtarë, pasi Duka u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Në minutën e 79, një kundërsulm vdekjeprurës i miqve me Selmanin, i cili pasoi për Momoh, ku ky i fundit u tregua i saktë para portës.
Tirana përfitoi nga inferioriteti numerik i miqve dhe përmbysi rezultatin. Në minutën e 87, bardheblutë barazuan shifrat. Pas zhvillimit të një goditje këndi, Përgjoni barazoi shifrat me kokë.
3 minuta më vonë, vendasit bënë përmbysjen e madhe. Kaina u gjend në vendin e duhur, teksa ktheu drejt rrjetës një gjuajtje që po shkonte jashtë.
Me këtë fitore, Tirana renditet në vendin e 3 me 21 pikë, ndërsa Kukësi mban vendin e 6 me 14 pikë.
Lini një Përgjigje