
Nuk ka akord për momentin për çështjen e Dani Alvesh dhe dënimin e tij si rrjedhojë e akuzave për agresion seksual që u ngritën që në dhjetorin e vitit 2022. Prokuroria tashmë ka bërë kërkesën zyrtare për burgosjen e lojtarit dhe do të jetë gjykata ajo që do të vendosë masën përfundimtare.
Sipas mediave spanjolle, Prokuroria ka kërkuar 8 vite burg për futbollistin, si dhe pagesën e shumës së 150 mijë eurove për viktimën e sulmit seksual. Dani Alvesh është i mbyllur në burgun “Brians 2” të Barcelonës që në muajin janar, ku ka qendruar pa të drejtën e lirimit me kusht, pasi ekzistonte frika se do të arratisej nga Spanja.
Ai ka ndryshuar disa herë versionin e ngjarjeve që kanë ndodhur, ndërsa tani raportohet se është gati që të gjejë një pakt me drejtësinë, në mënyrë që të ulet edhe kohëzgjatja e dënimit të tij. Mendohej se gjyqi do të mbyllej para fundit të këtij viti, por tashmë parashikohet se dënimi do të vuloset nga gjykata në tremujorin e parë të vitit 2024.
Lini një Përgjigje