
Kardinali amerikan Robert Prevost është zgjedhur sot si Papa i 267 në historinë e Kishës Katolike Romane, i pari me prejardhjen nga një vend në Amerikën e Veriut. Dhe ashtu si paraardhësi tij, Papa Françesku, ai raportohet se është i dhënë pas sportit.
Por jo ndaj futbollit siç ka ndodhur rëndom. Në mediat italiane, persona të afërt me Atin e Shenjtë, tregojnë se 69-vjeçari i sapozgjedhur duke mbartur emrin Papa Leo XIV, është mjaft i apasionuar ndaj sportit të tenisit. Ai ka qenë një tenist amator në rininë e tij dhe nuk i është ndarë këtij sporti, duke e praktikuar vazhdimisht deri kohët e fundit.
Në Itali bëjnë të ditur se Prevost, pasi u bë kardinal, shprehu hapur keqardhjen e tij pasi nuk kishte më kohë që të praktikonte këtë sport siç dëshironte.
“E cilësoj veten amator, por që kur jam larguar nga Peruja, kisha pak raste që të stërvitesha. Ndaj pres me padurim të kthehem në fushë”, ishin fjalët e tij në një intervistë pak kohë më parë.
Prevost, 69 vjeç, nga Çikago, Illinois, është Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara. Ai do të njihet si Leo XIV.
Një udhëheqës me përvojë globale, ai e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si misionar në Amerikën e Jugut dhe së fundmi drejtoi një zyrë të fuqishme në Vatikan për emërimet e peshkopëve. Pritet që ai të vazhdojë të mbështetet në reformat e Papa Françeskut.
Ai punoi për një dekadë në Trujillo të Perusë dhe më vonë u emërua peshkop i Chiclayo-s, një qytet tjetër peruan, ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023.
Në një intervistë për “Vatican News”, pak pasi u bë udhëheqës i Dikasterit për Ipeshkvijtë, Prevost tha: “Unë ende e konsideroj veten misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që të jesh”.
Përvoja e tij e gjatë misionare në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, e ka transformuar atë në një figurë që i zbeh kufijtë gjeografikë dhe ideologjikë midis Veriut dhe Jugut të botës. Për këtë arsye, ka nga ata që e konsiderojnë atë pothuajse një zë të të ashtuquajturit Jug Global, atij Jugu global që Papa Bergoglio e ka rikthyer në qendër të agjendës kishtare.
Gjatë qendrimit të tij në Peru, në krye të një prej dioqezave më të varfra dhe më problematike në vend, Prevost ndau jetën e përditshme të komuniteteve lokale, duke mësuar ta lexojë botën dhe Kishën nga një perspektivë “e përmbysur”. Ishte ky vendi ku ai zhvilloi një ndjeshmëri të veçantë ndaj dinamikës së margjinalizimit, migrimit dhe pabarazive, duke intuituar potencialin profetik të një Kishe më pak fatlumëve.
I konsideruar si një nga kandidatët më autoritarë në zonën bergogliane, Prevost gëzon mbështetjen e kardinalëve të Amerikës Latine dhe të Amerikës së Veriut.
Prevost flet rrjedhshëm anglisht, spanjisht, italisht, frëngjisht dhe portugalisht, dhe mund të lexojë latinisht dhe gjermanisht. Prevost ka folur gjithashtu për nevojën për të adresuar urgjentisht ndryshimin e klimës, një tjetër shqetësim i Françeskut, dhe është mbrojtëse e Kishës sinodale. Lidhur me mundësinë e shugurimit të grave, kardinali ka shprehur kundërshtimin e tij, duke deklaruar në një intervistë se "klerikalizimi i grave nuk zgjidh domosdoshmërisht një problem; por mund të krijojë një të ri".
Lini një Përgjigje