Sport24 Shtator 2023, 21:23

Pësuan dy gola në 5 minutat e para nga Apolonia, Elbasani përmbys fierakët në “frymën e fundit” dhe merr kreun e klasifikimit

Shkruar nga Pamfleti

Pësuan dy gola në 5 minutat e para nga Apolonia, Elbasani përmbys

Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Apolonisë në javën e 4 të Kategorisë së Parë dhe i është bashkuar Bylisit në kryesimin e kampionatit. Ashtu siç ka ndodhur edhe me Vorën pak javë më parë, verdheblutë kanë triumfuar me një përmbysje të vulosur në shtesën e ndeshjes. 

Verdheblutë e nisën si mos më keq ndeshjen me një gafë të portierit që i dhuroi avantazhin Trifonit për miqtë. Vetëm një minutë më vonë, ishte Maksuti, i cili dyfishoi shifrat për fierakët duke ia bërë më të vështirë ndeshjen ekipit vendas. 

Por verdheblutë reaguan dhe shkurtuan diferencën falë një penalltie të Karakaçit, me fraksionin e parë të lojës që u mbyll me sulme të njëpasnjëshme të ekipit të Elbasanit, 

E njëjta tablo u përsërit edhe në të dytën, me ekipin vendas që kërkonte me çdo kusht golin dhe me miqtë që mbroheshin e kundërsulmonin. Kasa ishte ai i cili barazoi shifrat me një gjuajtje mjeshtërore në minutën e 63 të sfidës, por kjo nuk ndali sulmet e ekipit vendas. 

Goli erdhi vetëm në shtesën e takimit, kur ishte përsëri Kasa ai i cili dërgoi në rrjetë topin pas një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë të befasishme nga vendasit. Kaq mjaftoi për t’u dhënë këtyre të fundit 3 pikët dhe për t’i dërguar në kreun e renditjes së kampionatit që i sheh ata si pretendentët kryesorë për ngjitjen në elitë.

elbasani apolonia kategoria e parë