
Federata e Futbollit ka arritur marrëveshjen me trajnerin Genti Mahmuti, i cili do të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-15. Mahmuti rikthehet në strukturat kuqezi pas eksperiencës së mëparshme si zëvendëstrajner i ekipeve kombëtare U-19 dhe U-21 gjatë viteve 2012–2016. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e stafit të Partizanit, Dinamos dhe shkollës sportive “Loro Boriçi”.
Tekniku kuqezi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare dhe do të drejtojë skuadrën U-15 në ndeshjet miqësore dhe ato zyrtare. Gjithashtu, Mahmuti do të jetë një nga trajnerët përgjegjës në akademinë e FSHF-së, “Elite Youth Academy”. Më konkretisht ai do të jetë trajneri i grupmoshës së datëlindjes 2011.
“Elite Youth Academy” është një nga projektet më ambicioze të Federatës Shqiptare të Futbollit, që synon të ndërtojë një strukturë të qendrueshme dhe moderne për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin teknik të talenteve më premtues në moshë të hershme.
Me staf të specializuar, metodologji të unifikuar dhe mbështetje gjithëpërfshirëse, ky projekt përfaqëson një hallkë kyçe në vizionin afatgjatë të FSHF-së për të ndërtuar Kombëtare të forta e konkurruese në të gjitha nivelet e moshave.
Ndërkohë, trajneri Armand Dama do të vijojë punën me të njëjtën grup-moshë duke marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-16 dhe do të vijojë punën në “Elite Youth Academy” me brezin e datëlindjes 2010. Sakaq, trajneri Françesko Vitobello do të jetë në drejtimin e grup-moshës së datëlindjes 2012 në “Elite Youth Academy”.
Fatjon Tafaj është trajneri i ri i Kombëtares shqiptare U-17.
Federata e Futbollit ka arritur marrëveshjen me trajnerin shqiptar, i cili do të ulet që sot në stolin kuqezi dhe do të drejtojë ekipin në ndeshjet e ardhshme zyrtare e miqësore.
Tafaj ka një përvojë të gjatë dhe të vyer në fushën e trajningut. Së fundmi, ai ka drejtuar ekipin e Kukësit, ndërsa më herët ka qenë trajner i Kamzës dhe zëvendës-trajner në ekipe si Dinamo City, Partizani, Shkëndija, Kukësi, Kamza dhe Vllaznia. Nga nëntori i vitit 2018 deri në nëntor të 2019-s, Fatjon Tafaj ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-21, në rolin e zëvendës-trajnerit.
Trajneri 43-vjeçar do të drejtojë ekipin kombëtar U-17 për dy vitet e ardhshme sipas kontratës së nënshkruar me FSHF.
Lini një Përgjigje