
Ish-mesfushori i Arsenalit, Tomas Parti, është zyrtarisht i akuzuar nga Policia britanike për pesë raste përdhunimi dhe një rast sulmi seksual. Ngjarjet dyshohet të kenë ndodhur në periudhën midis viteve 2021 dhe 2022 dhe përfshijnë tre gra të ndryshme.
Sipas autoriteteve, dy akuza për përdhunim kanë lidhje me një grua, tre akuza të tjera lidhen me një grua të dytë, ndërsa akuza për sulm seksual i atribuohet një rasti me një grua të tretë.
Kontrata e 32-vjeçarit me ekipin e Arsenalit përfundoi të hënën, pas një qendrimi katërvjeçar në klub, që nga transferimi i tij nga Atletiko e Madridit në tetor të vitit 2020 për një shumë prej 45.3 milionë paundësh.
Ai luajti 130 ndeshje në Premier Ligë me fanelën e Arsenalit, duke shënuar 9 gola. Sezonin e kaluar, Parti realizoi katër gola në 35 paraqitje në elitën e futbollit anglez, ndërsa në Ligën e Kampionëve kontribuoi në 12 ndeshje, duke ndihmuar klubin londinez të arrinte deri në gjysmëfinale, ku u eliminua nga PSG-ja.
Hetimet për këtë çështje nisën në shkurt të vitit 2022, kur policia mori denoncimin e parë për përdhunim. Efektivi Andi Furpi, i cili po drejton hetimin, deklaroi se prioriteti i policisë është ofrimi i mbështetjes për gratë që kanë dalë në publik dhe kanë denoncuar.
Tomas Parti pritet të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit më 5 gusht./ BBC
Lini një Përgjigje