TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Shtator 2025, 17:27

Pogradeci mposhtet në shtëpi nga Skënderbeu, korçarët bindin në çdo aspekt në sfidën miqësore

Shkruar nga Pamfleti

Pogradeci mposhtet në shtëpi nga Skënderbeu, korçarët

Skënderbeu ka arritur një fitore të pastër 0-2 në miqësoren e zhvilluar në Pogradec, duke treguar formë të mirë në prag të sezonit të ri.

Dhjetë minutat e para ishin të qeta për të dyja skuadrat, ku Skënderbeu u përpoq disi më shumë, por pa rrezikuar portën vendase, ndërkohë që liqenorët thuajse zgjodhën të luanin më shumë në prapavijë. Duhet të vinte minuta e 11 që Skënderbeu, me një zbritje të shpejtë në krahun e majtë, të çonte topin në hyrje të zonës së Pogradecit. Janaqi goditi fuqishëm dhe përshëndeti rrjetën, duke kaluar Skënderbeun në avantazh 0-1.

Pati festë te bardhekuqtë për golin e avantazhit, ndërkohë që tre minuta më pas, ishin pogradecarët që krijuan rastin e parë. Sodiq Kazim, nga e djathta, goditi drejt portës, por Marko Alia priti pa vështirësi.

Në minutën e 22 erdhi një tjetër rast për Pogradecin. Pas një krosimi në zonë, Sodiq goditi me kokë, por topi kaloi ngjitur me traversën e portës së Alias, duke shpëtuar kështu Skënderbeun.

Në minutën e 35, Pogradeci humbi rastin ideal për të barazuar. Kazim i shpëtoi mbrojtjes, doli përballë portierit Alia, goditi, por “gardiani” i Skënderbeut bëri një pritje vendimtare, duke shmangur një gol të sigurt.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Skënderbeut. Pjesa e dytë nis me ndërrime nga të dyja ekipet. Loja mbeti e qetë dhe e vakët deri në minutën e 60, me mungesë rastesh në të dyja portat. Në minutën e 61, Tajo për Skënderbeun pati mundësinë të dyfishonte, por pas një prekjeje të gjatë të topit në zonë, portieri Staniç shpëtoi portën vendase.

Në minutën e 73, Skënderbeu shënoi golin e dytë. Rodriges, në përpjekje për t’ia kthyer topin portierit Staniç, gaboi me kokë dhe e dërgoi atë në rrjetë për 0-2. Dy minuta më vonë, Nasr në zonën e 5-metërshit gjuajti diagonalisht, por portieri pogradecar shpëtoi sërish duke devijuar në goditje këndi. Deri në fundin e takimit nuk pati raste të tjera, përveç disa gabimeve nga të dyja skuadrat, dhe përfundimisht Skënderbeu fitoi pastër 0-2 në transfertën e Pogradecit, duke bindur me lojë dhe rezultat.

 

skënderbeu pogradeci ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje