TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Mars 2026, 21:53

“Portieri me gjashtë gishta” drejt Botërorit 2026? Meksikani mund të synojë një rekord historik

Shkruar nga Pamfleti

“Portieri me gjashtë gishta” drejt Botërorit 2026?

Portieri meksikan Guijermo Oçoa mund të nisë të përgatitet për një tjetër pjesëmarrje në Kupën e Botës 2026, ku potencialisht mund të jetë edhe protagonist. Nëse kjo ndodh, ai do të arrinte një rekord të veçantë duke marrë pjesë në gjashtë Botërorë, një arritje që do ta ndante vetëm me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon.

40-vjeçari ka parë t’i hapen sërish dyert e përfaqësueses së Meksikës pas dëmtimit të rëndë të portierit Luis Angel Malagon. 29-vjeçari i Klub Amerika, i cili konsiderohej zgjedhja e parë në portë, u dëmtua këtë javë dhe, me më pak se tre muaj që ndajnë nga nisja e Botërorit, nuk pritet të rikuperohet në kohë.

Në këto rrethana, Oçoa – aktualisht pjesë e AEL Limassol, skuadër që renditet në vendin e dytë në kampionatin qipriot – shfaqet si një kandidat i rëndësishëm për fanellën e përfaqësueses meksikane, së bashku me Raul Rangel dhe Karlos Acevedo.

Përvoja e gjatë në skenën ndërkombëtare i jep Oçoas një avantazh të dukshëm. Ai ka marrë pjesë në pesë Botërorë dhe shpesh ka qenë ndër protagonistët kryesorë të Meksikës në këtë turne. Performancat e tij kanë krijuar edhe mite në rrjetet sociale, ku prej vitesh qarkullon një foto e montuar që e paraqet me një dorashkë me gjashtë gishta, duke ia atribuar kësaj “anomali” pritjet spektakolare që në realitet janë rezultat i aftësive të tij në portë.

guijermo oçoa portieri meksikan

Lini një Përgjigje