TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Shkurt 2026, 17:17

Problemet që nuk i dinte askush, Etrit Berisha rrëfehet si kurrë më parë

Shkruar nga Pamfleti

Problemet që nuk i dinte askush, Etrit Berisha rrëfehet si kurrë

E ardhmja e Etrit Berishës te Haken mbetet e paqartë, pavarësisht rolit të rëndësishëm që portieri shqiptar ka pasur në skuadrën suedeze, përfshirë edhe paraqitjet në kompeticionet europiane.

36-vjeçari, i cili ka bërë histori me Kombëtaren shqiptare, ka bërë të ditur se prej kohësh po përballet me probleme serioze në shpinë. Sipas tij, shkaku kryesor lidhet me barin artificial, në të cilin Haken zhvillon stërvitjet dhe ndeshjet.

Berisha shpjegon se gjendja e tij përmirësohet ndjeshëm kur luan ose stërvitet në bar natyral, ndërsa në bar artificial dhimbjet përkeqësohen menjëherë. Ai pranoi se gjatë sezonit të kaluar është detyruar të marrë medikamente çdo ditë, veçanërisht në periudhat me ngarkesë të madhe ndeshjesh.

Kur stërvitemi në bar natyral është më mirë, por në bar artificial përkeqësohet menjëherë. Kam marrë tableta çdo ditë sezonin e kaluar, sepse kishte shumë ndeshje dhe nuk e dëgjova trupin tim”, është shprehur Berisha në një intervistë për mediat suedeze.

Portieri shqiptar ka bërë të ditur se së shpejti do t’i nënshtrohet një kontrolli të specializuar mjekësor në Norvegji, nga i cili pritet të varet edhe vendimi për të ardhmen e tij.

Nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj. Do të flas me doktorin dhe shpresoj që më pas të marr një vendim”, ka deklaruar ai.

I pyetur për mundësinë e largimit nga Haken në rast se mjekët i sugjerojnë të shmangë stërvitjen në kushte të tilla, Berisha nuk e ka përjashtuar këtë skenar: “Po, mund të ndodhë”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret pas konsultave mjekësore, ndërsa e ardhmja e një prej figurave më të rëndësishme të futbollit shqiptar mbetet e hapur.

 

etrit berisha portieri i kombëtares shqiptare haken

Lini një Përgjigje