Një tjetër incident i rëndë ka tronditur futbollin spanjoll, këtë herë gjatë përballjes mes Atlético Madrid dhe FC Barcelona në stadiumin Metropolitano Stadium.
Ndeshja, e fituar 1-2 nga katalanasit, u shoqërua me tensione jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, ku në qendër të vëmendjes përfundoi talenti i ri Lamine Yamal. Futbollisti 18-vjeçar u bë objekt i fyerjeve ksenofobe nga një pjesë e tifozëve vendas, teksa po përgatitej të ekzekutonte një goditje këndi.
Sipas raportimeve, nga tribuna u dëgjuan thirrje fyese dhe diskriminuese, përfshirë komente denigruese dhe referenca ndaj origjinës së tij, çka ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv.
Ky nuk është rasti i parë për Yamal. Vetëm pak kohë më parë, gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare, ai ishte përballur me thirrje të ngjashme raciste, të cilat i kishte dënuar publikisht.
Pavarësisht fushatave dhe masave të ndërmarra nga institucionet e futbollit për të luftuar racizmin dhe diskriminimin, episode të tilla vijojnë të përsëriten, duke dëmtuar imazhin e sportit. Deri më tani, autorët e këtij rasti nuk janë identifikuar, ndërsa pritet një reagim nga organet kompetente dhe vetë klubet përkatëse.
Lini një Përgjigje