
Gjendja shëndetësore e trajnerit rumun Mircea Lucescu është përkeqësuar gjatë natës dhe ai ndodhet në terapi intensive në Spitalin Universitar të Bukureshtit.
Mjekët e kanë vendosur 80-vjeçarin në koma farmakologjike, pas komplikacioneve të fundit. Dy ditë më parë, ndërsa po përgatitej të linte spitalin pas një problemi shëndetësor të shfaqur gjatë një mbledhjeje teknike, ai pësoi një infarkt. Ekipi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe realizoi tre procedura reanimimi.
Më pas, Lucescu përjetoi edhe një tjetër episod kardiak. Mjekët arritën ta rikthejnë në jetë përmes ndërhyrjeve emergjente. Pavarësisht gjendjes, ai kishte qenë në pankinë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Botërorin, ku skuadra e tij u mposht nga Turqia. Eliminimi nga gara solli edhe ndërprerjen e bashkëpunimit me kombëtaren.
Federata Rumune e Futbollit reagoi publikisht, duke theksuar se në këtë moment rëndësi ka vetëm beteja për jetën e tij dhe duke shprehur mbështetje për trajnerin. Lucescu mbetet nën kujdes intensiv, ndërsa mjekët vijojnë monitorimin e gjendjes së tij.
Lini një Përgjigje