
Prania e futbollistëve shqiptarë në kampionatin italian vijon të jetë në rritje, një zhvillim që po reflektohet pozitivisht edhe në nivelin e Kombëtares shqiptare. Krahas lojtarëve të konsoliduar në Serinë A, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh po aktivizohen në Serinë B dhe në kategoritë më të ulëta, ku po shfaqen si protagonistë me ekipet e tyre.
Ndërsa në elitën e futbollit italian dominojnë emra të konfirmuar, në Serinë B vihet re një prani më e madhe e lojtarëve të rinj, të cilët synojnë të bëjnë hapin e madh drejt skuadrave elitare dhe Kombëtares A. Në këtë kuadër, Qendra Ndërkombëtare e Statistikave Sportive (CIES) ka publikuar një listë me 15 lojtarët më të mirë nën 23 vjeç në Serinë B.
Në këtë përzgjedhje spikasin tre futbollistë shqiptarë: vëllezërit binjakë Stivën dhe Kristian Shpendi, si dhe mesfushori Luis Hasa.
Stivën Shpendi, pjesë e Empolit, ka regjistruar 1749 minuta aktivizim, duke realizuar 13 gola dhe një asist. Sipas vlerësimeve të CIES, ai dallohet veçanërisht për forcën në lojën ajrore.
Ndërkohë, Kristian Shpendi ka zhvilluar një sezon edhe më të ngarkuar me Çezenën, ku ka luajtur 2039 minuta, duke shënuar 10 gola dhe dhënë 4 asiste. Pika e tij më e fortë konsiderohet finalizimi para portës, pavarësisht një numri më të ulët golash krahasuar me vëllain.
Në listë përfshihet edhe Luis Hasa, i cili aktivizohet me Karraresen. Mesfushori ka luajtur 1643 minuta, duke kontribuar me 5 gola dhe 4 asiste. CIES vlerëson si cilësi kryesore të tij aftësinë në situatat një kundër një dhe driblimin, duke e konsideruar ndër lojtarët më të spikatur në këtë aspekt në kampionatin italian.
Performancat e këtyre lojtarëve nuk kanë kaluar pa u vënë re, pasi sipas raportimeve ata kanë tërhequr interesin e klubeve më të mëdha. Lëvizjet e mundshme gjatë merkatos së verës mbeten të hapura, ndërsa një hap i tillë mund t’i afrojë më shumë drejt rolit të protagonistëve edhe me fanelën e Kombëtares shqiptare.
Lini një Përgjigje