
E ardhmja e Armando Brojës vazhdon të jetë në dyshim. Edhe pse klubi refuzoi oferta të rëndësishme për të gjatë verës dhe ai sapo është kthyer nga dëmtimi duke bërë minutat e para në fushën e lojës, emri i tij vazhdon të qarkullojë si një prej atyre që mund të lëvizin nga blutë në të ardhmen e afërt.
Sipas portalit të njohur spanjoll “Fichajes”, sulmuesi kuqezi përmendet si pjesë e marrëveshjes për të sjellë te Çelsi sulmuesin, Ivan Tonej të Brentfordit. Portali i njohur për zërat e merkatos, bën të qartë se londinezët duan lojtarin por janë stepur për momentin nga vlera e lartë e kartonit të tij. Përveç të tjerash, Tonej është i pezulluar nga Federata Angleze për përfshirjen e tij në vendosjen e basteve, që janë të palejuara sipas rregulloreve të Premier Ligës.
I njëjti burim thekson se Çelsi kërkon të ulë vlerën e kartonit, që aktualisht është rreth 75 milionë paund, duke përfshirë edhe Brojën në marrëveshje, për ta dërguar te Brentfordi. Marrëveshja do të negociohet dhe mund të finalizohet në muajin janar, pasi “Blutë e Londrës” kanë parë që kanë nevojë urgjente për një sulmues goli dhe Tonej është një nga emrat më të vlerësuar në kampionatin anglez në vitet e fundit.