Kanë përfunduar disa prej sfidave të javës së 33-të të Bundesligës, java e parafundit e kampionatit gjerman, duke qartësuar edhe objektivat e fundit të mbetura të hapura për këtë sezon.
Në ndeshjen më të rëndësishme të ditës, Shtutgarti triumfoi 3-1 ndaj Bajer Leverkusen në “MHPArena”, në një duel direkt për vendin e katërt, që garanton pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.
“Aspirinat” kaluan menjëherë në avantazh me Aleiks Garsia, i cili shënoi që në minutën e parë të takimit. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, pasi Ermedin Demiroviç barazoi shifrat në minutën e pestë. Në pjesën e dytë, Shtutgarti përmbysi gjithçka falë golit të Mitelshtad nga pika e bardhë e penalltisë dhe realizimit të Undav, duke vulosur fitoren 3-1.
Me këtë sukses, Shtutgarti mban vendin e katërt me 61 pikë, në zonën që siguron një biletë për në Champions League.
Po me 61 pikë renditet edhe Hofenhejmi në vendin e pestë, pas fitores minimale 1-0 ndaj Verder Bremen. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Bazumana Ture.
Ndërkohë, Lajpcigu siguroi matematikisht vendin e tretë dhe kualifikimin për në Champions League, pas fitores 2-1 ndaj St. Pauli.
Në takimin tjetër të ditës, Augsburgu mposhti 3-1 Borusia Mëshëngladbah.
Java vijon në mbrëmje me përballjen mes Volfsburgu dhe Bajerni i Mynjhut, e programuar të nisë në orën 18:30.
Lini një Përgjigje