TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Korrik 2026, 14:55

Sonte Francë-Paraguai/ Enciso: Të gjithë presin humbjen tonë, por kemi pikat tona të forta

Shkruar nga Pamfleti
Sonte Francë-Paraguai/ Enciso: Të gjithë presin humbjen
Sonte Francë-Paraguai/ Enciso

Franca, një nga pretendentet kryesore për fitimin e Kupës së Botës 2026, zbret sonte në fushë për të sfiduar Paraguain në fazën e 1/8-ave.

Takimi do të zhvillohet në orën 23:00 në Filadelfia, ku përfaqësuesja franceze do të jetë pa Aurélien Tchouaméni dhe Marcus Thuram, të dy të dëmtuar. Megjithatë, organika e mbushur me lojtarë cilësorë pritet t'i përballojë mungesat e tyre.

Edhe pse Franca konsiderohet favorite absolute, skuadra e Didier Deschamps nuk pritet ta nënvlerësojë kundërshtarin. Paraguai vjen në këtë fazë pas një surprize të madhe, duke eliminuar Gjermaninë në raundin e 1/16-ave.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Deschamps theksoi se "Paraguai nuk ndodhet rastësisht në këtë fazë", ndërsa shtoi se stili latin i lojës së kundërshtarit duhet vlerësuar maksimalisht.

Nga ana tjetër, Julio Enciso, i cili aktivizohet në Ligue 1 me Strasbourgun dhe është një nga lojtarët që e njeh më mirë futbollin francez, pranoi se pak kush beson te kualifikimi i Paraguait. Megjithatë, ai u shpreh se skuadra e tij ka armët për ta vënë në vështirësi Francën dhe se do të bëjë gjithçka për të synuar një tjetër surprizë.

Një faktor që mund të ndikojë në ecurinë e ndeshjes është edhe moti. Në momentin e zhvillimit të sfidës, temperatura në Filadelfia pritet të arrijë deri në 37 gradë Celsius.

Takimi do të luhet në qytetin ku, 250 vite më parë, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në çerekfinale, ku do të përballet me skuadrën që do të triumfojë në sfidën Kanada–Marok.

Lini një Përgjigje