
Bajerni i Mynihut ka fituar sfidën e shumëpritur ndaj Borusias së Dortmundit, duke triumfuar me rezultatin 3-2 në “Signal Iduna Park”, në kuadër të javës së 24-t të Bundesligës. Me këtë sukses, skuadra bavareze thellon diferencën në 11 pikë nga ndjekësi më i afërt, që është pikërisht Dortmundi, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe me disa ndërhyrje të forta. Në minutën e 20-të, Niko Shloterbek ndërhyri ashpër ndaj Josip Stanisiç, por u ndëshkua vetëm me karton të verdhë nga arbitri.
Shtatë minuta më vonë, Shloterbek u bë protagonist në portën kundërshtare. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Daniel Svenson, mbrojtësi i Dortmundit shënoi me kokë për 1-0, duke kaluar vendasit në avantazh.
Në fundin e pjesës së parë, Dortmundi humbi kapitenin Emre Çan, i cili u detyrua të largohej nga fusha i dëmtuar. 45 minutat e para u mbyllën me epërsinë minimale të verdhezinjve.
Bajerni reagoi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 52-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë, Xhoshua Kimish pasoi për Serzh Gnabri, i cili asistoi për Herri Kejn. Sulmuesi anglez dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar shifrat në 1-1.
Në minutën e 69-të, një tjetër ndërhyrje e gabuar e Shloterbek ndaj Stanisiç brenda zonës u ndëshkua me penallti për Bajernin. Nga pika e bardhë u tregua i saktë sërish Herri Kejn, që përmbysi rezultatin në 1-2.
Dortmundi reagoi në minutën e 83-të, kur Daniel Svenson shënoi pas një asistimi të Marsel Sabitcer, duke rikthyer baraspeshën në 2-2 dhe duke rihapur ndeshjen.
Megjithatë, bavarezët nuk u dorëzuan. Në minutën e 87-të, Xhoshua Kimish përmbylli një aksion me një goditje të saktë brenda zonës, duke shënuar golin e fitores për 2-3.
Me këtë fitore, Bajerni i Mynihut shkon në +11 pikë nga Borusia e Dortmundit, duke e bërë diferencën të konsiderueshme në garën për titull, edhe pse sezoni vijon me disa javë për t’u luajtur.
Rezultati final në “Signal Iduna Park”: Borusia Dortmund 2-3 Bajern Mynih.
Lini një Përgjigje