
Tefik Osmani ka zgjidhur dyshimet për të ardhmen e tij, teksa do të kthehet përsëri në kryeqytet për të vazhduar karrierën e drejtorit sportiv, pas largimit nga Vllaznia në fund të edicionit që sapo u mbyll.
Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, ish-futbollisti korçar ka gjetur akordin për të marrë detyrën që mbante edhe më parë te klubi i Tiranës, nga i cili u largua dy vite më parë. Osmani kishte në tavolinë edhe oferta nga klube të tjera të Superiores, por ka preferuar atë të kryeqytetasve, të cilët i njeh mirë nga eksperienca e mëparshme.
Bardheblutë mbyllën bashkëpunimin sot me Agim Ibraimin dhe çdo gjë ishte e hapur për të kthyer Osmanin, i cili do të ketë detyrën e vështirë të rindërtojë kryeqytetasit pas një sezoni zhgënjyes. Akordi mes tij dhe Halilit është arritur dhe tashmë mbetet vetëm zyrtarizmi i palëve në ditët në vijim, para se ai të fillojë punën në këtë etapë të re të karrierës.
Lini një Përgjigje