
Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë dënime të rënda ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani.
Vëllai i tij, Berati, u dënua me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij mori pesë vjet burg. Sipas gjykatës, Berati ka qëlluar ndaj familjarëve të personit që vrau vëllain e tij, duke treguar “përbuzje të thellë”, e cila ishte e dukshme edhe në letrat që kishte dërguar nga burgu.
Dënimet tejkaluan kërkesën e prokurorisë, e cila kishte propozuar 12 vjet burg për Beratin. Në sallën e gjyqit atmosfera ishte e rënduar, me familjarët e të pandehurve që reaguan me lot dhe thirrje.
Prej vitesh mes dy familjeve, një shqiptare dhe një kurde, ekzistonte një konflikt i dyshuar për çështje droge. Ngjarjet kulmuan në mars të vitit 2024, kur boksieri Besar Nimani u vra në Bielefeld.
Sipas raportimeve të dëshmitarëve, një grup prej pesë deri në gjashtë personash ishin ulur së bashku në një lokal. Më pas thuhet se të gjithë janë larguar së bashku nga restoranti. Pastaj papritmas pati të shtëna jashtë restorantit. Gjashtë deri në tetë të shtëna thuhet se janë qëlluar në këtë ngjarje.
Vdekja e 38-vjeçarit u konstatua në vendngjarje nga ekipi mjekësor. Autorët që kryen këtë vrasje nuk janë identifikuar nga autoritetet gjermane, ndërsa një sulm i ngjashëm ndaj tij kishte ndodhur edhe në vitin 2013
Seanca finale u shty disa herë për shkak të mocioneve të mbrojtjes, të cilat u rrëzuan nga gjykata pas diskutimeve të gjata.
Nimani, me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, ishte shpërngulur në Bielefeld në vitin 1997. Ai ka zhvilluar 27 ndeshje profesionale boksi ku ka humbur vetëm një prej tyre. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar edhe një titull europian në peshën e mesme.
Lini një Përgjigje