Trajneri i Anglisë shpërtheu menjëherë pas fishkëllimës së fundit në stadiumin “Azteca”, pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës...
Trajneri i kombëtares së Anglisë, Thomas Tuchel, reagoi me emocione të forta menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së fituar 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca” të Ciudad de México, një sfidë që shumë media e kanë cilësuar si një nga paraqitjet më të mira të “Tre Luanëve” në një Kupë Bote që prej vitit 1966.
Anglia luajti me dhjetë futbollistë gjatë gjithë pjesës së dytë, pasi Jarrell Quansah u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa në minutat e fundit u përball me presion të vazhdueshëm nga vendasit.
Në minutën e 94-t, pas një faulli të akorduar ndaj Jude Bellingham, që i dha Meksikës një mundësi të fundit për të sulmuar, kamerat kapën reagimin e fuqishëm të Tuchel në pankinë.
Sipas ekspertes së leximit të buzëve Nicola Hickling, tekniku gjerman u dëgjua të thoshte: “Kjo është çmenduri. Dua një birrë, mik! O Zot, më ndihmo ta përballoj këtë.”
Reagimi i tij pasqyroi tensionin e madh që mbizotëronte në stadium dhe mes tifozëve, teksa Anglia përpiqej të ruante avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Ndeshja pati zhvillime të shumta. Jude Bellingham shënoi dy gola brenda 98 sekondave, ndërsa Julián Quiñones ngushtoi diferencën për Meksikën para pushimit.
Në pjesën e dytë, përjashtimi i Quansah ndryshoi rrjedhën e lojës, por Anglia realizoi edhe golin e tretë me penalltinë e Harry Kane. Meksika u kundërpërgjigj po nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2.
Pas ndeshjes, Tuchel e cilësoi fitoren si “heroike”, duke theksuar se skuadra e tij “gjeti mënyrën për të fituar me zemër dhe karakter” në kushte jashtëzakonisht të vështira, përballë një kundërshtari të fortë dhe në lartësinë e madhe mbi nivelin e detit.
Lini një Përgjigje