TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Korrik 2026, 14:24

Trump trondit Botërorin me një telefonatë, BE sfidon hapur FIFA-n

Shkruar nga Pamfleti
Trump trondit Botërorin me një telefonatë, BE sfidon hapur FIFA-n
Trump dhe Von der Leyen


Komisioni Evropian thekson se vendimet sportive duhet të bazohen në kritere objektive dhe transparente, ndërsa FIFA hoqi pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun para ndeshjes me Belgjikën...

Brukseli ka bërë thirrje për respektimin e parimit të “lojës së ndershme” dhe të konkurrencës transparente në sport, pasi FIFA hoqi pezullimin e futbollistit amerikan Folarin Balogun pas një bisede telefonike mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, deklaroi të hënën se nuk do të komentonte rastin konkret të Balogun, por theksoi se federatat sportive duhet të jenë të lira të marrin vendimet e tyre.

“Ne respektojmë autonominë e sportit dhe të drejtën e federatave sportive për të përcaktuar kriteret sipas të cilave garojnë pjesëmarrësit,” tha Hrncirova.

Ajo shtoi se çdo vendim duhet të merret mbi bazën e kritereve objektive dhe transparente, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian mbështet parimin e lojës së ndershme dhe konkurrencës transparente.

Balogun u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnje dhe Hercegovinës në fazën e parë me eliminim direkt, çka nënkuptonte pezullimin e tij për ndeshjen e 1/8-ave të finales kundër Belgjikës. Pas telefonatës së Trumpit me Infantinon të enjten, pezullimi u anulua. FIFA nuk konfirmoi nëse telefonata ndikoi në vendim, por i tha Politico se një komision i pavarur disiplinor kishte vendosur të hiqte pezullimin prej një ndeshjeje.

Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, reagoi më ashpër, duke paralajmëruar se ndërhyrja politike në vendimet sportive rrezikon të minojë pavarësinë e organeve drejtuese.

“Vendimet për rregullat dhe çështjet sportive u takojnë institucioneve sportive, jo politikanëve,” shkroi ai në rrjetin social X, duke shtuar “ndikimi politik në vendimet sportive do të cenonte autonominë e sportit.”

Micallef shtoi se, sipas tij, FIFA kishte marrë “një vendim të gabuar” dhe se vëmendja duhej të përqendrohej te sfidat reale të qeverisjes së sportit, përfshirë përdorimin e sportit për qëllime politike.

Edhe UEFA reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar vendimin e FIFA-s si “të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm” dhe duke akuzuar organin botëror të futbollit se kishte kaluar “një vijë të kuqe”.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, i tha Politico se vendimi i FIFA-s “ngre qartësisht shumë pikëpyetje”. Ai shtoi se, nëse një telefonatë ka çuar vërtet në këtë vendim, atëherë do të cënoheshin rregullat themelore të futbollit dhe sportit, si edhe besueshmëria e FIFA-s për të mbrojtur parimin e lojës së ndershme.

Në Mbretërinë e Bashkuar, edhe kryeministri Keir Starmer shprehu kritika të kujdesshme. Një zëdhënës i tij deklaroi se vendime të tilla janë përgjegjësi e organit drejtues të futbollit botëror dhe duhet të mbeten të tilla, duke shtuar se kryeministri mbështet integritetin e garave në të gjitha sportet.

 

trump kupa e botes be

Lini një Përgjigje