TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Korrik 2026, 14:22

Prapaskenat e suksesit në Botëror: Norvegjia refuzoi ushqimin amerikan, solli furnizimet e saj në kampin stërvitor

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat e suksesit në Botëror: Norvegjia refuzoi ushqimin
Norvegjia refuzoi ushqimin amerikan, solli furnizimet e saj në kampin stërvitor

Norvegjia ka transportuar mbi 1,000 kilogramë ushqime nga vendi i saj drejt Shteteve të Bashkuara për Kampionatin Botëror.

Ngarkesa përfshinte 300 kg salmon të egër të Atlantikut, 116 kg djathë tradicional Brunost dhe 6,000 portokaj, si edhe tre shefa kuzhine skandinavë, të cilët përgatisin katër vakte në ditë për ekipin.

Ky vendim u mor për t’i mbajtur lojtarët me një regjim ushqimor të njohur gjatë pjesëmarrjes së parë të Norvegjisë në Kupën e Botës pas gati tre dekadash.

Delegacioni norvegjez ka ngritur kampin bazë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Greensboro, ku është vendosur një kuzhinë e plotë. Stafi teknik ka zgjedhur të mos eksperimentojë me gatimet amerikane, por t’u qëndrojë besnik ushqimeve tradicionale norvegjeze.

Sipas raportimeve, shqetësimi kryesor lidhet me ndryshimet në dietë dhe cilësinë e produkteve që mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve. Për këtë arsye, norvegjezët kanë preferuar të mbështeten te produktet dhe recetat me të cilat futbollistët janë mësuar prej kohësh.

Në mesin e ushqimeve të transportuara nuk mungojnë djathrat, produktet e qumështit dhe disa përbërës tradicionalë të kuzhinës norvegjeze, të cilët konsiderohen pjesë e rëndësishme e dietës së ekipit.

Vendimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kanë bërë shaka me faktin se Norvegjia po shkon në Botëror “me bukë me vete”.

Megjithatë, ekspertët e sportit theksojnë se ushqimi luan një rol kyç në rikuperimin dhe performancën e sportistëve elitarë, ndaj skuadrat shpesh tregohen shumë të kujdesshme në këtë aspekt.

Ndërsa ekipet e tjera fokusohen te taktikat dhe përgatitjet në fushë, Norvegjia duket se nuk dëshiron të lërë asgjë në dorë të rastësisë, duke u siguruar që edhe menuja e lojtarëve të jetë nën kontroll të plotë gjatë gjithë turneut.

 

norvegjia refuzoi ushqimin amerikan

Lini një Përgjigje