Momente të frikshme ka përjetuar futbollisti italian Armando Izzo, i cili është bërë objekt i një grabitjeje me armë në qendër të Terracinës, në provincën e Latinës.
Sipas mediave italiane, mbrojtësi i Avellinos është ndaluar nga dy persona të rinj. Agresorët i kanë drejtuar një pistoletë në fytyrë dhe, nën kërcënimin e armës, e kanë detyruar t'u dorëzojë orën e tij luksoze. Pasi kanë marrë sendin me vlerë, autorët janë larguar me shpejtësi në këmbë, duke humbur gjurmët në rrugicat e qytetit.
Pas njoftimit të autoriteteve, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po mbledhin dëshmi për të identifikuar dhe arrestuar autorët e grabitjes.
Ngjarja vjen në një moment të rëndësishëm për 33-vjeçarin, i cili këtë vit u rikthye te Avellino pas eksperiencës me Monzën, duke firmosur një kontratë që e mban të lidhur me klubin deri në qershor të vitit 2029. Jashtë fushës së blertë, Izzo ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes së mediave rozë për lidhjen e tij me showgirl-in italian Raffaella Fico.
Pavarësisht tronditjes së madhe psikologjike dhe humbjes materiale, futbollisti nuk ka pësuar lëndime fizike, ndërsa hetimet për identifikimin e grabitësve vijojnë.
Lini një Përgjigje