
Skuadra e Totenhemit ka zyrtarizuar emërimin e Igor Tudor si trajner i ri të ekipit deri në përfundim të sezonit. Njoftimi u bë publik përmes rrjeteve sociale të klubit londinez, me një mesazh të shkurtër: “Mirësevjen Igor”.
Kroati merr drejtimin e “Spërsave” në një moment delikat për klubin, i cili ndodhet në vendin e 16-të të renditjes në Premier Ligë, vetëm pesë pikë mbi zonën e rënies nga kategoria. Shkarkimi i trajnerit Tomas Frank erdhi pas rezultateve të dobëta, duke lënë ekipin në një situatë të vështirë në kampionat.
Debutimi në derbin e Londrës veriore
Ndeshja e parë e Igor Tudor në stolin e Totenhemit do të jetë derbi i shumëpritur i Londrës veriore kundër Arsenalit, që zhvillohet të dielën e ardhshme. Sfida konsiderohet një provë e rëndësishme për trajnerin e ri, i cili do të përballet menjëherë me një nga rivalët kryesorë të klubit.
Në deklaratën e tij të parë për kanalet zyrtare të klubit, Tudor u shpreh se e konsideron një nder bashkimin me Totenhemin në këtë fazë të sezonit.
“Është një nder të bashkohem me këtë klub në një moment të rëndësishëm. E kuptoj përgjegjësinë që më është dhënë dhe fokusi im është i qartë: të sjellim qendrueshmëri më të madhe në performancat tona dhe të garojmë me bindje në çdo ndeshje. Ka cilësi lojtarësh në këtë skuadër dhe puna ime është ta organizoj atë, ta energjizoj dhe t’i përmirësoj rezultatet tona sa më shpejt”, deklaroi Tudor.
Rikthim në stol pas largimit nga Juventusi
47-vjeçari ka qenë pa angazhim që prej tetorit 2025, kur u shkarkua nga Juventusi pas një periudhe shtatëmujore në krye të ekipit torinez. Në momentin e largimit, Juventusi renditej në vendin e tetë në Serinë A dhe kishte regjistruar tetë ndeshje radhazi pa fitore.
Tudor ka një të kaluar të pasur si lojtar me Juventusin, ku fitoi dy tituj të Serisë A gjatë nëntë viteve në Torino. Karrierën si trajner e nisi në vitin 2013 me Hajdukun e Splitit në Kroaci. Që atëherë, ai ka drejtuar disa klube në Evropë, përfshirë Gallatasarajin, PAOK-un, Udinezen, Marsejën dhe Lacion.
Emërimi i Tudor shihet si një përpjekje e klubit londinez për të stabilizuar skuadrën dhe për të shmangur rrezikun e rënies nga elita e futbollit anglez.
We are pleased to confirm the appointment of Igor Tudor as Men’s Head Coach until the end of the season, subject to work permit.
— Tottenham Hotspur (@SpursOfficial) February 14, 2026
???? https://t.co/IqK72rpNSg pic.twitter.com/31rCpoVQTj
Lini një Përgjigje